FLASH :

Video/Avioni nuk ngrihet dot – zbulimi tronditës që çuditi gjithë pasagjerët

Një fluturim i Virgin Australia nga Melbourne drejt Brisbane u vonua për gati dy orë të martën pasdite për shkak të një “pasagjeri” të pazakontë: një gjarpër i gjelbër.

Reptili, i dyshuar si një green tree snake (gjarpër i gjelbër i pemëve), u zbulua brenda hapësirës së ngarkesave të avionit VA337 pak para nisjes. Stafi i kabinës e pa gjarprin dhe menjëherë mbylli derën e ngarkesave për ta izoluar, duke njoftuar autoritetet për ndihmë.

Në vendngjarje u thirr kapësi profesionist i gjarpërinjve, Mark Pelley — i njohur si “The Snake Hunter”.

“Virgin Australia më telefonoi dhe më tha: ‘Ka një gjarpër në avion, mund të vish tani?’ Dhe unë u nisa menjëherë,” tha Pelley për Daily Mail Australia. Ai shtoi se i duheshin 30 minuta për të mbërritur në aeroport, ndërsa kontrolli i sigurisë i shtoi edhe 15 minuta të tjera vonesës.

Në atë kohë, pasagjerët tashmë kishin hipur në avion dhe po prisnin në pistë derisa të përfundonte ndërhyrja.

Pelley shpjegoi se kishte vetëm një mundësi për ta kapur: “Nëse nuk do ta kapja që në përpjekjen e parë, do të futej pas paneleve të avionit dhe do të bëhej shumë më e vështirë për ta nxjerrë.”

Për fat të mirë, ndërhyrja zgjati vetëm 30 sekonda. Gjarpri u kap me sukses dhe u vendos në një enë të sigurt.

Sipas ekspertit, gjarpri i gjelbër nuk është helmues dhe është i zakonshëm në Queensland – vendi nga kishte ardhur avioni më herët gjatë ditës. Ai dyshon se gjarpri mund të jetë futur në valixhen e ndonjë pasagjeri dhe ka dalë gjatë fluturimit.

“Virgin Australia e menaxhoi situatën në mënyrë shumë profesionale. Diçka e tillë mund të ndodhë kudo në Australi. Asnjëherë nuk pati rrezik për pasagjerët,” theksoi ai.

Gjarpri do t’i dorëzohet autoriteteve mjedisore dhe pritet të kthehet në habitatin e tij në natyrë në Queensland.

Fluturimi VA337, i planifikuar të nisej në orën 16:10, u nis vetëm në orën 18:23 dhe mbërriti në Brisbane rreth orës 20:30.