Presidenti francez Emmanuel Macron ka rifilluar bisedimet direkte me presidentin rus Vladimir Putin, për herë të parë pas një ndërprerjeje gati trevjeçare. Objektivi i Pallatit Élysée është i qartë: të rifitojë kontrollin e dialogut me Kremlinin dhe të zvogëlojë ndikimin diplomatik të Shtëpisë së Bardhë ndaj Moskës në lidhje me çështjen ukrainase.
Biseda telefonike e zhvilluar mes tyre zgjati mbi dy orë dhe u përqendrua kryesisht në çështjen e Ukrainës. Macron theksoi “mbështetjen e palëkundur të Francës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës” dhe i kërkoi Putinit një “armëpushim të menjëhershëm” për të hapur rrugën e negociatave për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Por nga Kremlini erdhi një përgjigje e ftohtë. Putin përsëriti akuzat e njohura ndaj Perëndimit, duke deklaruar se “konflikti është pasojë e politikave që kanë injoruar për vite me radhë interesat e sigurisë së Rusisë”. Ai këmbënguli se një marrëveshje do të ishte e mundur vetëm nëse “pranohen realitetet e reja territoriale”, pra njohja e pushtimeve ruse si status quo.
Diferencat në Ukrainë, afrime për Iranin
Pavarësisht ndasive për Ukrainën, Macron dhe Putin gjetën një gjuhë të përbashkët për çështjen bërthamore iraniane. Si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të dy liderët theksuan nevojën për një zgjidhje diplomatike që të garantojë respektimin e Traktatit për Mos-përhapjen bërthamore dhe lejimin e inspektimeve nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike. Në këtë pikë, Rusia kërkon të riafirmojë rolin e saj si garant i stabilitetit rajonal, duke e pozicionuar veten si palë konstruktive në negociata.
Ndërkohë, sulmet ukrainase thellë në Rusi
Teksa Macron informon presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për bisedën me Putinin, forcat ukrainase ndërmarrin një sulm të bujshëm me dronë mbi fabrikën ushtarake “Kupol” në qytetin Izhevsk — mbi 1,000 kilometra brenda territorit rus. Fabrika prodhon sisteme mbrojtjeje ajrore “Tor” dhe “Osa” si dhe dronë për ushtrinë ruse. Sipas autoriteteve ruse, tre persona humbën jetën dhe 35 u plagosën.
Në terren, Rusia po avancon me ritme të shpejta. Sipas një analize të AFP, bazuar në të dhënat e Institutit për Studimin e Luftës (ISW), në muajin qershor Rusia ka bërë përparimin më të madh në territorin ukrainas që nga nëntori. Vetëm muajin e kaluar, trupat ruse pushtuan 588 km² — duke shënuar përparimin e tretë mujor radhazi.
Në paralel, Moska ka grumbulluar rreth 50,000 trupa vetëm 20 km larg qytetit ukrainas Sumy, ndërkohë që SHBA ka vendosur të pezullojë dërgesat e disa llojeve të municioneve për Ukrainën, nga frika se rezervat amerikane kanë rënë nën nivelin e sigurisë. Politico raporton se ky vendim është marrë që në fillim të qershorit, por zbatohet vetëm tani.
Ndërsa lufta vazhdon dhe diplomacia kërkon rrugë të reja, Macron po përpiqet të riafirmojë rolin e Francës si një aktor i pavarur dhe i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare – edhe nëse përballë ka një Putin që nuk ka ndërmend të lëshojë terren.







