Fermerët shqiptarë po zhvendosin gjithnjë e më shumë fokusin nga blegtoria tradicionale drejt bletarisë, të joshur nga kostot më të ulëta dhe fitimet më të larta që ofron ky sektor.
Sipas të dhënave të INSTAT, ndërmjet viteve 2014 dhe 2024 numri i koshereve në vend është rritur me 105%, ndërkohë që numri i krerëve të bagëtive është përgjysmuar gjatë së njëjtës periudhë. Vetëm gjatë vitit 2024, numri i koshereve në Shqipëri arriti në 587,300, nga 518,700 në vitin 2023 — një rritje prej 13.2%.
Qarku me rritjen më të madhe është Vlora, ku numri i koshereve u rrit me 46.7% në vetëm një vit, nga 70,540 në 2023 në 103,520 në 2024. Rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe Durrësi (20%), Dibra (17%), Fieri (15%), Lezha (13%) dhe Korça (9%). Gjirokastra është i vetmi qark që shënoi rënie të lehtë me -0.2%.
Sipas fermerëve, bletaria është më praktike dhe më pak e kushtueshme. Gëzimi, një bletërritës në Tropojë me mbi 160 koshere, thotë se “bletaria kërkon investim minimal, pak krah pune dhe mund të menaxhohet lehtësisht nga një familje e vogël”. Ai shton se një koshere prodhon deri në 15 kg mjaltë në vit, përveç produkteve të tjera si propolisi, poleni dhe dylli, të cilat kanë çmime gjithnjë në rritje në treg.
Për dallim nga blegtoria, e cila kërkon kullota, stalla, punonjës dhe shpenzime të mëdha për ushqim dhe kujdes veterinar, bletaria shihet si një zgjidhje më fleksibël dhe më pak e lodhshme – veçanërisht për familjet ku të rinjtë kanë emigruar dhe menaxhimi bie mbi të moshuarit.
Në një kohë kur blegtoria dhe bujqësia po përballen me sfida të mëdha, bletaria po kthehet në një alternativë gjithnjë e më premtuese për fermerët shqiptarë.