Një tjetër valë dhune makabre ka përfshirë qytetin Culiacán në shtetin perëndimor Sinaloa të Meksikës, ku të hënën janë zbuluar katër trupa të pajetë të prerë në kokë dhe të varur në një urë autostrade, ndërsa 16 të tjerë u gjetën të vrarë brenda një furgoni të bardhë, njëri prej të cilëve i gjymtuar. Sipas autoriteteve, këto krime janë rezultat i luftës për kontrollin e territorit midis dy fraksioneve të fuqishme të Kartelit Sinaloa: “Los Chapitos”, të drejtuar nga djemtë e Joaquín “El Chapo” Guzmán, dhe grupit rival “La Mayiza”. Pranë trupave u gjet edhe një shënim kërcënues: “Mirë se vini në Sinaloan e re”.
Që nga shpërthimi i përplasjes në shtator të vitit të kaluar – pas rrëmbimit të një lideri nga djemtë e El Chapos dhe dorëzimit të tij tek autoritetet amerikane – Culiacán është zhytur në një klimë terrori të përhershëm: trupa të pajetë në rrugë, shkolla të mbyllura, dyqane të braktisura dhe rrugë të patrulluara nga të rinj të armatosur me motorë. Në një përpjekje të dëshpëruar për të fituar luftën e brendshme, “Los Chapitos” kanë bërë një aleancë të pazakontë me armikun e tyre të përbetuar, Kartelin e Jalisco-s, duke shkëmbyer territore me para dhe armë. Ekspertët paralajmërojnë se kjo aleancë e rrezikshme mund të ketë pasoja globale për rrjetet kriminale dhe tregtinë e drogës, duke riorganizuar gjithë hartën e krimit të organizuar në kontinentin amerikan.
