Kryeministrja e Tajlandës, Paetongtarn Shinawatra, është pezulluar nga detyra pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila pranoi një kërkesë të 36 senatorëve që e akuzojnë për shkelje të etikës për shkak të një telefonate të rrjedhur me ish-udhëheqësin kamboxhian Hun Sen. Telefonata, e zhvilluar më 15 qershor dhe e konfirmuar si autentike, përmbante deklarata ku Shinawatra e quante Hun Sen “xhaxha” dhe kritikonte ushtrinë tajlandeze për përplasjet kufitare që sollën vdekjen e një ushtari kamboxhian.
Pezullimi vjen vetëm 10 muaj pas marrjes së detyrës, në një kohë kur qeveria e saj është goditur nga protesta, rrënie e mbështetjes publike dhe dalja nga koalicioni e partisë Bhumjaithai. Paetongtarn, e cila do të vazhdojë të mbajë postin e ministres së Kulturës, përballet gjithashtu me një votë mosbesimi në parlament. Në reagimin e saj, ajo kërkoi falje dhe deklaroi se veprimet e saj kishin synim ruajtjen e paqes dhe sovranitetit kombëtar, ndërsa këmbënguli se telefonata ishte pjesë e një “taktike negociuese” që nuk duhej bërë publike.
Kjo krizë është një tjetër episod në një seri trazirash që kanë karakterizuar politikën tajlandeze vitet e fundit, pas rrëzimit të paraardhësit të saj për shkelje etike dhe shpërbërjes së partisë progresiste Move Forward. Ndërkohë, marrëdhëniet mes Tajlandës dhe Kamboxhias mbeten të tensionuara, të ndikuara nga një kufi i kontestuar dhe një histori rivaliteti të hershëm. Pezullimi i Shinawatrës përkeqëson më tej pasiguritë në vend, ndërsa vendi hyn në një tjetër fazë të paqartë politike.