FLASH :

Shqipëria në flakë/ Pas Vlorës edhe Elbasani. QQ: Piromanët paguhen me taksat tona!

Fusha e mbetjeve në Elbasan është përfshirë sot nga flakët, duke shkaktuar një ndotje të madhe ajrore në qytet dhe duke rikthyer në vëmendje dështimin e inceneratorëve, të cilët edhe pse kanë përthithur miliona euro nga buxheti i shtetit, vijojnë të mos funksionojnë. Retë e mëdha të tymit kanë mbuluar zonën përreth, ndërsa autoritetet vendore po hasin vështirësi në vënien nën kontroll të flakëve, të cilat dyshohet se janë të qëllimshme.

Pas precedentëve të ngjashëm në fushën e mbetjeve në Vlorë—ku zjarret janë kthyer thuajse në një traditë të përvitshme në prag të sezonit turistik—tashmë ngjarja në Elbasan ka shtuar shqetësimet për një model të rrezikshëm të zjarrvënieve të qëllimshme në vendgrumbullimet e plehrave.

Organizata Qëndresa Qytetare ka reaguar me forcë ndaj kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar zjarrin si akt të rëndë me pasoja mjedisore dhe shëndetësore për qytetarët, e duke ngritur alarmin se piromanët “paguhen me taksat tona”. Sipas organizatës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se zjarri mund të jetë vënë nga punonjës të inceneratorit të Elbasanit, i cili, ndonëse ka përfituar fonde të mëdha publike, është jashtë funksionit.

“Është e vështirë të presësh hetim serioz nga ato institucione që nuk kanë dhënë ende një përgjigje se përse inceneratori i Elbasanit nuk punon,” thuhet në reagimin e Qëndresës, që kërkon ndërhyrje urgjente të Prokurorisë së Elbasanit dhe SPAK për të hetuar nëse zjarri është vepër e punonjësve të lidhur me inceneratorin dhe për të nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur çështja e inceneratorëve mbetet një nga plagët më të mëdha të keqmenaxhimit të fondeve publike në Shqipëri, e shoqëruar me hetime të zgjatura, akuza për korrupsion dhe mungesë transparence. Qëndresa Qytetare thekson se kjo ngjarje është një sinjal i qartë se dështimet strukturore në menaxhimin e mbetjeve po marrin përmasa kriminale dhe nuk mund të tolerohen më.