Shqipëria është futur në kolaps për ujë të pijshëm. Pas raportimeve të djeshme të bëra në redaksinë e JOQ Albania, ku shumë qytetarë të 5 bashkive në vend denonconin mungesën e ujit të pijshëm, ankesat janë shtuar, teksa numri i banorëve që nuk kanë ujë në çezmat e tyre është shtrirë dhe në bashkitë e tjera të Shqipërisë.
Lumë ankesash kanë mbërritur në redaksinë tonë lidhur me mungesën e ujit të pijshëm. Ndërkohë që temperaturat kapin majat dhe termometri po digjet, banorët nga jugu në veri po përballen me mungesën totale të ujit, elementit kryesor që na nevojitet, sidomos në këtë sezon të stinës së verës.
Në Instagram është pyetur se sa ditë kanë pa ujë dhe ku është zona më problematike dhe numri i qytetarëve që kanë reaguar është i madh, duke krijuar një kaos të madh në jetesën dhe përditshmërinë e tyre, si pasojë e mungesës së ujit të pijshëm e pavarësisht denoncimeve, ende nuk ka reagim.
Në qarkun e Shkodrës qytetarë të shumtë nga zonat e Shkodrës, Malësisë së Madhe Vaut të Dejës, Koplikut raportojnë se janë pa ujë. Në qarkun e Kukësit, zonat e bashkisë Kukës dhe Has janë pa asnjë pikë ujë në çezmat e tyre. Gjithashtu banorë të shumtë të qarkut Lezhë, konkretisht të bashkisë Lezhë, Mirditë e Kurbin po vuajnë për ujë në këto ditë të nxehta vere.
Dibra gjithashtu po përballet me mungesën e ujit. Banorë të shumtë të zonave të bashkisë Dibër, Klos dhe Bulqizë shprehin ankesat e tyre që nuk kanë ujë prej ditësh në banesat e tyre. Prej mbi 1 jave me mungesë të ujit po përballen dhe banorët e qarkut Durrës, konkretisht zona të shumta të bashkisë Durrës, Shijak dhe Krujë.
Edhe Tirana që po përvëlohet nga temperaturat e larta po përballet me të njëjtën situatë. Shumë lagje e fshatrave të bashkisë Tiranë, Kavajë, Kamëz, Rrogozhinë dhe Vorë numërojnë shumë ditë që kanë mbetur pa ujë, teksa ankohen se Ujësjellës Kanalizime pavarësisht denoncimeve.
Elbasani është një tjetër qark ku banorët e së cilës shprehin shqetësimin e mungesës së ujit. Banorët e zonave të bashkisë Elbasan, Belsh, Cërrik, Peqin, Përrenjas shkruajnë se kanë ditë që nuk kanë parë ujë me sy, ndërsa kanë mbetur pa kryer nevojat bazë si pasojë e mungesës së ujit.
Edhe qarku i Vlorës po përballet me mungesë uji në pikën e sezonit turistik. Ndërkohë që pushuesit janë dyndur në këto zona bregdetare bashkia Vlorë, Selenica, Himara, Saranda, Delvina, Konispoli dhe Finiqi po thahen për ujë të pijshëm.
Nga Kukësi në Sarandë, Shqipëria është kthyer në shkretëtirë. Institucionet heshtin! banorët e zonave që po thajnë për ujë, kanë mbetur pa u larë, pa kryer nevojat bazë, dhe të vetmin ujë që kanë janë ato në premtimet para 11 Majit, “ujë 24 orë”. Shqipëria po pi ujë me pikatore, ose më saktë këto ditët e fundit shumë po e imagjinojnë.
Mbi 2 javë pa ujë është shumë dhe pavarësisht se banorët janë ankuar, bashkitë e zonave përkatëse në Shqipëri dhe Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve në këto zona pa ujë ende nuk kanë marrë masa për të dhënë një zgjidhje që banorët të sigurohen me ujë të pijshëm.
Shumë banorë raportojnë se kanë mbetur me bidonë e legenë në krah dhe nerva në rritje. “Do të ketë ujë 24 orë në ditë”, kështu thanë drejtuesit politikë në vend para zgjedhjeve të 11 Majit dhe sot pasi siguruan votat as nuk kujtohen që marrin masa për të zgjidhur problemin në fjalë.
Bashkitë e qyteteve dhe fshatrave që nuk kanë ujë, ndërmarrja e Ujësjellësit sipas qyteteve që nuk kanë ujë, Enti Rregullator i Ujit duhet të reagojnë menjëherë. Kjo është një shkelje e të drejtës për shërbimin bazë siç është uji dhe duhet të vihet në dispozicion një zgjidhje sepse nuk shtyhet një verë e tërë pa ujë.
Në këto kushte e vetmja shpresë është Zoti. Urojmë që ndonjë reshje e befasishme të lajë mëkatet e votës së shumë prej banorëve të këtyre zonave që sot në këto ditë vere po përballen me stres si pasojë e mungesës së ujit të pijshëm që është domosdoshmëri, jo luks!