FLASH :

Prishi qetësinë publike, procedohet penalisht pronari i këtij lokali në Ksamil

Sarandë – Një tjetër rast i prishjes së qetësisë publike është konstatuar në zonën turistike të Ksamilit. Strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të kontrolleve për garantimin e rendit dhe një mjedisi të qetë për qytetarët dhe turistët, kanë ndërhyrë ndaj një lokali nate që shkaktonte zhurma të shumta gjatë natës.

Ngjarja ndodhi më datë 01.07.2025, rreth orës 00:30, në lagjen nr. 2 të Ksamilit, në rrugën “Alida Hisku”, ku u konstatua se nga grumbullimi i personave në ambientin e lokalit, krijohej një nivel zhurme që cënonte dukshëm qetësinë publike të zonës përreth.

Si pasojë, u procedua penalisht administratori i lokalit, shtetasi A. M., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Strukturat e Policisë njoftojnë se do të vijojnë kontrollet në të gjitha zonat bregdetare gjatë sezonit veror, për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë për banorët dhe vizitorët.