FLASH :

Momenti kur furnitorëve në Tiranë u kapet 1 kg kokainë në Benz luksoz

Operacioni u zhvillua në kuadër të luftës kundër shitjes së lëndëve narkotike në doza apo sasi, nga strukturat e Policisë së Tiranës. Dy të rinj u arrestuan në flagrancë, pasi u kapën me 1.234 gramë kokainë, e cila dyshohet se do të shpërndahej në lagjet “Tiranë e Re”, “Kombinat” dhe “Selitë”.

Në bazë të një hetimi tremujor të zhvilluar me metoda proaktive dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve finalizoi operacionin e koduar “Furnitorët”. Në kuadër të këtij operacioni, shtetasit B. A. dhe R. S., të dy 27 vjeç e banues në Tiranë, u ndaluan teksa lëviznin me një automjet të llojit Benz në aksin “Ura e Beshirit – Pezë”.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në automjet dhe në banesat e tyre, u gjetën dhe sekuestruan 1 kg e 234 gramë kokainë, si dhe 2 celularë. Dyshohet se lënda narkotike do t’u jepej shpërndarësve të tjerë për shitje në doza në disa zona të kryeqytetit.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe ndëshkimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë rrjet trafikimi. Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.