FLASH :

VIDEO/ Diktatori Kim Jong-un qan për ushtarin e tij të rënë në Rusi

Pamje të transmetuara nga televizioni shtetëror i Koresë së Veriut tregojnë liderin Kim Jong-un teksa gjunjëzohet dhe mban lotët përpara arkivolit të mbuluar me flamurin kombëtar, që mban trupin e një ushtari korean të vrarë në frontin e Kurskut në Rusi. Ceremonia, e ngjashme me ato të repatriimeve në SHBA apo Korenë e Jugut, u zhvillua më 29 qershor në Teatrin e Madh të Lindjes në Phenian dhe u transmetua më 30 qershor nga Korea Central TV.

Gjatë ngjarjes, Kim ishte i shoqëruar nga vajza e tij Ju-ae, motra Kim Yo-jong dhe zyrtarë të tjerë koreanë dhe rusë, përfshirë ministren e Kulturës së Rusisë, Olga Ljubimova. Ngjarja shënonte njëvjetorin e nënshkrimit të traktatit të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës mes Phenianit dhe Moskës.

Pamjet treguan Kim Jong-un në lot ndërsa qëndronte përpara ekranit ku transmetoheshin skena nga dërgimi i trupave në Rusi dhe funerale të disa prej tyre. Vetëm katër apo pesë arkivole u panë në video, ndonëse sipas raporteve të jashtme mbi 4,700 ushtarë koreanë kanë humbur jetën në frontin e Kurskut – fakt që ka nxitur spekulime se ceremonia ishte më tepër simbolike për të qetësuar opinionin publik ndaj humbjeve masive.

Shteti gjithashtu publikoi për herë të parë pamje ku Kim nënshkruan një plan ushtarak të quajtur “Operacioni i Çlirimit për Kurskun”, i miratuar tri herë më 22 tetor, 12 dhe 22 dhjetor 2024. Videot sugjeruan se Kim jo vetëm ka autorizuar dërgimin e trupave, por edhe ka dhënë urdhra të drejtpërdrejtë për operacione speciale në terren.

Ndërkohë, Shërbimi Informativ i Koresë së Jugut ka paralajmëruar se Koreja e Veriut pritet të dërgojë më shumë forca në korrik ose gusht, përfshirë 1,000 inxhinierë luftarakë për çminim dhe 5,000 trupa për punë ndërtimi, siç është konfirmuar edhe nga sekretari i Këshillit të Sigurisë Ruse, Sergei Shoigu.

Kjo është përpjekja më e fundit e regjimit për të legjitimuar angazhimin ushtarak në Ukrainë dhe për të forcuar imazhin e Kim-it si një lider i përkushtuar dhe i fuqishëm ushtarak përballë popullit të tij.