Një 15-vjeçare nga Boltoni i Anglisë është bërë virale në rrjetet sociale pasi zgjodhi një mënyrë aspak të zakontë për të shkuar në mbrëmjen e maturës – mbi një lopë!
Chloe Fitton, bijë fermerësh prej pesë brezash, u shfaq e veshur me një fustan blu mahnitës, duke hipur mbi lopën e familjes, Oasis, të racës British Blue. E shoqëruar nga babai Richard dhe vëllai Thomas, Chloe u duartrokit fort nga të gjithë të pranishmit teksa zbriste qetësisht nga parkingu i një supermarketi deri te stadiumi ku mbahej eventi.
E quajtur prej vogëlie “Miss Moo” nga e ëma, Chloe kishte vetëm 6 vjeç kur ndihmoi për herë të parë në lindjen e një qengji, dhe tani, e vendosur të ndjekë studimet për bujqësi, ajo synon të trashëgojë fermën familjare.
“Çdokush vjen me kalë, karrocë apo makina luksoze, por unë doja diçka krejt ndryshe”, tha Chloe, e cila mori vëmendjen më të madhe dhe duartrokitjen më të madhe të natës. Lopa Oasis, e mësuar me daljet publike, qëndroi qetë dhe pozoi nëpër foto me maturanten. Familja e saj siguron se ajo nuk do të përfundojë kurrë si biftek – përkundrazi, shpresojnë të ketë më shumë viça dhe të qëndrojë gjatë në tufë.
Me mbi 600 mijë shikime në TikTok, Chloe nuk thjesht bëri bujë në shkollë, por edhe në gjithë internetin – si një vajzë që nuk i ndahet tokës, as në ditën më të rëndësishme të adoleshencës së saj.










