FLASH :

FBI dhe NSA paralajmërojnë: Sulmet kibernetike nga Irani mbeten kërcënim, pavarësisht armëpushimit me Izraelin

Megjithë arritjen e një armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit, shërbimet sekrete amerikane paralajmërojnë se rreziku nga sulmet kibernetike iraniane ndaj SHBA-së mbetet i lartë. FBI dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) kanë deklaruar se grupet e hakerave të mbështetur nga Teherani mund të synojnë infrastrukturën kritike amerikane, përfshirë rrjetet e energjisë elektrike, sistemet e transportit dhe sektorin ekonomik.

Sipas njoftimit të përbashkët, objektivë të mundshëm janë gjithashtu kompanitë e prodhimit të armatimeve dhe teknologjive mbrojtëse, veçanërisht ato me lidhje me Izraelin.

Agjencitë amerikane u bëjnë thirrje bizneseve dhe institucioneve që të forcojnë masat e tyre të sigurisë kibernetike, përfshirë:

  • Instalimin e përditësimeve të softuerëve në kohë;
  • Përdorimin e sistemeve të sigurta për menaxhimin e fjalëkalimeve;
  • Monitorimin aktiv të rrjeteve për veprimtari të dyshimta.

Ky paralajmërim vjen në vazhdën e incidenteve të mëparshme, kur pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, hakerë të lidhur me Teheranin kanë sulmuar banka, kompani energjetike dhe industri mbrojtjeje amerikane. Megjithatë, ato sulme nuk sollën dëme të mëdha, por autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë për skenarë më të rrezikshëm në të ardhmen.