Shirat e rrëmbyeshëm kanë goditur rajonin perëndimor të Venezuelës, duke shkaktuar përmbytje të mëdha, dëme të konsiderueshme materiale dhe ndërprerje të infrastrukturës në disa shtete. Autoritetet njoftojnë se lumenjtë kanë dalë nga shtrati, duke prekur qindra banorë.
Në shtetin perëndimor të Meridës, guvernatori Arnaldo Sanchez bëri të ditur se të paktën 370 shtëpi janë prekur nga përmbytjet, ndërsa 103 janë shkatërruar plotësisht. Ai njoftoi përmes rrjeteve sociale se janë shpërndarë mbi 2 ton ndihma ushqimore në komunitetet e goditura në malësitë e Andeve, ndërkohë që forcat e sigurisë dhe Mbrojtja Civile janë angazhuar për ndihmën emergjente.
Në shtetin veriperëndimor të Zulias, përmbytjet nga lumi Chama kanë prekur 16 komunitete. Guvernatori Luis Caldera tha për televizionin shtetëror se banorët janë furnizuar me ushqime, ujë të pijshëm, tenda dhe materiale të tjera bazike.
Situata është kritike edhe në shtetin Apure, ku kryebashkiaku Jackson Barbosa raportoi se disa komunitete në qytetin Andres Eloy Blanco janë tërësisht të izoluara për shkak të daljes nga shtrati të dy lumenjve. Autoritetet po punojnë për rivendosjen e qasjes dhe dërgimin e ndihmave në zonat më të goditura.







