FLASH :

OKB dënon sulmet ndaj palestinezëve që kërkonin ndihmë në Gaza – kërkohet hetim i pavarur dhe përgjegjësi për autorët

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dënuar ashpër sulmet ndaj palestinezëve që kërkonin ndihmë humanitare në Gaza, duke bërë thirrje për një hetim të menjëhershëm dhe të pavarur mbi incidentet tragjike që kanë shkaktuar dhjetëra viktima.

“Ne dënojmë fuqimisht humbjen e jetëve dhe plagosjen e palestinezëve që kërkonin ndihmë dhe bëjmë thirrje që autorët të mbahen përgjegjës,” tha Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Khaled Khiari, gjatë një raportimi në Këshillin e Sigurimit për situatën në Lindjen e Mesme.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga 17 qershori, të paktën 580 palestinezë janë vrarë gjatë përpjekjeve për të marrë ndihma nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), përfshirë edhe në radhët e shpërndarjes së ushqimeve. Ndër incidentet më të rënda, Khiari përmendi një sulm më 17 qershor në Khan Younis, ku një tank izraelit hapi zjarr ndaj turmës që priste ndihma nga Programi Botëror i Ushqimit, duke vrarë mbi 50 vetë dhe plagosur mbi 200 të tjerë.

Një tjetër incident ndodhi më 24 qershor në Gazën qendrore dhe jugore, ku trupat izraelite qëlluan pranë vendeve të shpërndarjes së ndihmave, duke vrarë 49 persona dhe plagosur gati 200 të tjerë.

Vendet e shpërndarjes së ndihmave të ngritura nga GHF më 27 maj, të mbështetura nga SHBA-ja dhe Izraeli, janë cilësuar nga kritikët si “kurthe vdekjeprurëse”.

Khiari paralajmëroi se OKB-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë mekanizëm shpërndarjeje që nuk respekton parimet themelore humanitare si njerëzimi, paanshmëria, pavarësia dhe neutraliteti.

Ai kritikoi gjithashtu Izraelin për bllokimin e ndihmave për afro 80 ditë dhe theksoi se furnizimet aktuale që arrijnë në Gaza janë “krejtësisht të pamjaftueshme” për të përmbushur nevojat jetike të popullatës civile që ndodhet në një krizë humanitare të paprecedentë.