Dhjetëra qytete në Evropën Jugore janë përfshirë nga temperatura ekstreme, ndërsa vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Autoritetet shëndetësore në vende si Spanja, Portugalia, Franca dhe Italia kanë shtuar gatishmërinë dhe paralajmërojnë për rreziqe serioze, sidomos për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Në disa rajone të Spanjës, termometri ka kaluar 40°C, ndërsa nga Siçilia dhe Greqia raportohen edhe vatra zjarri. Edhe Shqipëria po përjeton temperatura mbi normalen për këtë periudhë, me meteorologët që parashikojnë vazhdim të motit të nxehtë për disa ditë të tjera.
Sipas ekspertëve, temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë përkeqësim të sëmundjeve kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, si dhe goditje nga dielli që në raste të rënda mund të çojnë deri në meningjit aseptik apo hipertermi – një gjendje e rrezikshme që ngjan me ethet.
Veçanërisht të rrezikuar janë personat mbi 65 vjeç. Studiuesit paralajmërojnë se me rritjen e ndikimit të ndryshimeve klimatike, Evropa po përballet me temperatura që po rriten dy herë më shpejt se mesatarja globale.
Ekspertët i bëjnë thirrje qeverive që të ndërmarrin masa të menjëhershme për përshtatjen ndaj nxehtësisë, përmes përmirësimit të sistemit të paralajmërimeve dhe krijimit të hapësirave publike me ajër të kondicionuar, për të shmangur deri në 100 mijë vdekje të parakohshme të lidhura me temperaturat ekstreme.







