FLASH :

Fansat të revoltuar pasi “Squid Game” nënkupton një version amerikan të serialit

Pas publikimit të sezonit të tretë dhe të fundit të serialit fenomen “Squid Game”, fansat kanë reaguar me zemërim për një skenë të fundit që lë të kuptohet për një spinoff amerikan. Në episodin final, aktorja Cate Blanchett shfaqet si rekrutuese e re në Los Angeles duke ofruar lojën tradicionale koreane ddakji, çka ndezi spekulime për një vazhdim të serialit të vendosur në SHBA.

Megjithëse Netflix ka deklaruar se nuk ka plane zyrtare për një version amerikan, reagimi online ka qenë i ashpër. Shumë shikues e quajnë përpjekjen për “amerikanizim” të serialit një fyerje ndaj rrënjëve koreane të historisë, që kritikon kapitalizmin përmes realitetit shoqëror korean. Fansat kritikuan edhe ironinë e përdorimit të një loje tradicionale koreane për audiencën amerikane, duke thënë se një version i tillë do t’i zbehte mesazhet origjinale sociale dhe kulturore të serialit.

Të gjithë gjashtë episodet e sezonit të fundit janë tashmë të disponueshme në Netflix dhe kanë marrë një vlerësim 81% në Rotten Tomatoes. Pavarësisht suksesit, shumë fansa janë të qartë: “Nuk duam Squid Game USA.”