Europa është përfshirë nga një valë e nxehti ekstreme, me temperatura që tejkalojnë 40°C në shumë vende si Franca, Spanja, Gjermania, Portugalia dhe Greqia. Në Itali, 21 qytete janë në alarm të kuq, ndërsa disa rajone kanë ndaluar punën në ambient të hapur gjatë orëve të pikut. Në Cogne, një shi i rrëmbyeshëm ka shkaktuar dy rrëshqitje toke që izoluan qytetin.
Në Francë, 84 nga 95 departamente janë në alarm portokalli, me temperatura që arrijnë mbi 40°C në Paris dhe jug të vendit. Autoritetet kanë mbyllur qindra shkolla dhe kanë kërkuar mbrojtje për punëtorët. Ekspertët e klimës paralajmërojnë se në të ardhmen këto valë të të nxehtit do jenë më të shpeshta dhe më të shpërndara gjatë vitit.
Në Gjermani, pritet që temperaturat të shkojnë deri në 38°C, në një vend ku shumica e banesave nuk kanë kondicioner. Përveç të nxehtit, vendi po përballet me thatësirën më të rëndë pranverore që nga viti 1950, duke prekur bujqësinë, lundrimin në lumenjtë si Reni dhe furnizimet me ujë. Disa lande kanë ndaluar vaditjen e fushave apo marrjen e ujit nga lumenjtë.
Spanja, Portugalia dhe Greqia janë gjithashtu nën alarm për zjarre pyjore, me 42°C të parashikuara në jug të Spanjës dhe në Lisbonë. Në Athinë, një zjarr i madh ka detyruar autoritetet të mbyllin pjesë të rrugës bregdetare drejt Tempullit të Poseidonit.
Europa përjeton kështu një verë që jo vetëm rrezikon shëndetin publik, por po shtyn vendet drejt masa të reja emergjente për t’u përballur me realitetin e ngrohjes globale dhe krizës klimatike.