Pamje tronditëse nga kamerat e sigurisë tregojnë një kujdestare që poshtëron dhe trajton dhunshëm një burrë të moshuar e të dobët me demencë – duke e hedhur atë “si një kukull lecke” vetëm disa ditë para vdekjes së tij.
Bilikesu Olagunju, 42 vjeçe, e cila kishte vetëm gjashtë ditë në detyrë si kujdestare, u kap nga kamera teksa e trajtonte keq John Attard, 88 vjeç, në shtëpinë e tij në Bexley, Kent, dëgjoi gjykata.

Pamjet e regjistruara gjatë një vizite 45-minutëshe tregojnë vuajtjen e rëndë që, sipas familjes, e çoi gjyshin e madh drejt vdekjes së pashmangshme.
Olagunju, që punonte për kompaninë Unique Personnel UK, ia hoqi rrobat z. Attardit, e kërcënoi se do ta rrihte dhe madje e tërhoqi zvarrë nëpër dyshemenë e sallonit të shtëpisë së tij.
Ajo gjithashtu e injoroi të moshuarin kur ky i përsëriste: “Po më dhemb.” Në një moment i tha: “Ndoshta do të rrah. Do të të rrah me kamxhik. Do të të çoj te mjeku për injeksione. Do të thërras policinë për ty.”

Pamjet janë regjistruar në prag të Krishtlindjeve, më 24 dhjetor 2022, nga një kamerë e fshehtë që ishte vendosur nga djali i viktimës, Chris Attard.
Ditën pas ngjarjes, z. Attard u gjet pa ndjenja, me gjak që i rridhte nga fytyra. U dërgua menjëherë në spital ku mbeti në gjendje të pandërgjegjshme dhe vdiq dhjetë ditë më vonë.
Olagunju pranoi fajësinë për një akuzë për keqtrajtim dhe neglizhencë të qëllimshme ndaj një personi nën kujdes.

Ajo u dënua me gjashtë javë burg, me dënim të pezulluar për 18 muaj, si dhe me 50 orë punë vullnetare, nga Gjykata e Kurorës në Woolwich, Londër.
Djali i viktimës, Chris Attard, e cilësoi këtë vendim si “fyes”. Ai beson se sjellja e Olagunju kontribuoi në përkeqësimin e menjëhershëm të gjendjes së të atit dhe në vdekjen e tij.
Ai tha: “Po të mos ishin ato kamera, ajo grua mund të ishte ende jashtë duke abuzuar me të moshuar të tjerë. Dënimi i saj është një tallje. Çfarë lloj ndëshkimi është ky?”

Në gjykatë u paraqit përmbledhja e videos: Olagunju mbërriti në orën 11:20 të mëngjesit për ta larë z. Attard dhe për t’i përgatitur mëngjesin. Ajo e urdhëroi të çohej në këmbë, dhe kur ai rrëshqiti, ajo e zhveshi para dritares në sy të kalimtarëve, e tërhoqi zvarrë për krahësh dhe e ngriti me forcë duke i shkaktuar dhimbje.
Kur njoftoi punëdhënësin se z. Attard ndodhej në dysheme, iu tha të mos e prekte dhe të thërriste ambulancën – por ajo e injoroi këtë dhe vazhdoi ta ngrinte vetë ndërkohë që ankoheshin se “duhej dërguar një burrë për këtë punë”.

Në video, ajo shihet duke i hedhur marmalatë në kafe, ndonëse e dinte se ai ishte diabetik, dhe duke ia tërhequr tavolinën përpara, duke ia bërë të pamundur të ushqehej. Në një moment, kafeja e nxehtë i derdhet mbi trup.
Duke dalë nga shtëpia, ajo i thotë: “Mirupafshim – do të raportoj në polici.”

Prokurori James Benson përshkroi sjelljen e saj si “të dhunshme, poshtëruese dhe të pamëshirshme”. Ai tha se ajo “përdori dobësinë e viktimës në mënyrë të tmerrshme.”
Chris Attard shpërtheu në lot në sallën e gjyqit. Ai tregoi se autopsia nuk mundi të vërtetonte lidhjen direkte me vdekjen, por trupi i të atit kishte hematoma në gjoks. “Ishte mëngjesi i Krishtlindjeve kur e gjeta babain tim 88-vjeçar pa ndjenja. Tri ditë pas shtrimit shkrova një deklaratë për ndikimin që kjo ngjarje pati. Tani e di – ai nuk u shërua kurrë dhe vdiq shtatë ditë më vonë.”
Duke iu drejtuar direkt Olagunju-t: “Autopsia nuk e vërtetoi dot fajin tënd – por unë besoj se ti ndikove në vdekjen e tij. Ti nuk mund ta kthesh më dhimbjen që i shkaktove atij dhe që tani ne do ta mbajmë përgjithmonë.”

Ai e përshkroi të atin si “zemërmirë, bujar, plot humor”, dhe tha se ende po e shijonte jetën. “Për shumë kohë nuk kam fjetur mirë. E mendoj pa pushim – tmerrin që ka ndier kur u tërhoq zvarrë e u hodh si një objekt në karrige.”
Duke folur me të, shtoi: “Kur për ty kjo ngjarje të jetë vetëm një kujtim i largët, për ne do të jetë ende një plagë. Nëse nuk kupton çfarë ndjej, imagjino sikur unë të isha kapur në video duke rrahur nënën tënde – çfarë dënimi do të doje ti për mua?”

Gjyqtarja Charlotte Welsh tha: “Është e pabesueshme që një personi pa përvojë iu caktua një i moshuar me demencë si pacienti i parë. E pranoj që nuk kishte qëllim të lig – por kjo nuk e ndihmon familjen që humbi babain, gjyshin dhe stërgjyshin e tyre në mënyrën më të turpshme.”

Olagunju qau në heshtje gjatë seancës. Avokati i saj, z. Tijani, tha se ajo ishte “thellësisht e turpëruar” dhe pranonte plotësisht përgjegjësinë. Ai shtoi: “Në pamje shihet një grua që nuk ishte trajnuar siç duhet për një situatë të tillë.”
Pas vendimit, Chris Attard tha: “Tani për mua ajo grua nuk ekziston më. Misioni im është të nxjerr në dritë kompaninë Unique Personnel. Ata duhet të ishin në bankën e të akuzuarve bashkë me të. Si mund të dërgosh një person të papërgatitur në shtëpinë e një të moshuari?”
Kompania është kontaktuar për koment.







