Charlize Theron ka hedhur thumba ndaj dasmës madhështore të Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez, që u mbajt në fundjavë në Venecia.
Bossi i Amazon, 61 vjeç, dhe moderatorja 55-vjeçare, organizuan një ceremoni tre-ditore me luks të jashtëzakonshëm, e cila përfundoi të dielën me largimin e çiftit nga hoteli luksoz Aman Venice. Ata pritet të kalojnë muajin e mjaltit në hotelin Four Seasons San Domenico Palace, vendi i xhirimeve për sezonin e dytë të serialit “The White Lotus”.
Por ndonëse festa tërhoqi vëmendjen e të famshmëve, jo të gjithë ishin të impresionuar.
Aktorja Charlize Theron, gjatë organizimit të “Block Party” për fondacionin e saj bamirës Charlize Theron Africa Outreach Project, foli me humor për “mungesën” e saj në dasmën e shekullit.
“Besoj se ishim të vetmit që nuk morëm ftesë për dasmën e Bezos,” tha 49-vjeçarja nga skena në Universal Studios, sipas The Hollywood Reporter. Dhe më pas shtoi me një buzëqeshje: “Por s’ka problem… sepse ata janë boring dhe ne jemi cool!”
Komentet e saj, edhe pse të thëna në stilin e zakonshëm me shaka të aktores, janë interpretuar si një thumb i lezetshëm ndaj ekstravagancës së ngjarjes, e cila madje shkaktoi edhe protesta nga vendasit në Venecia, të irrituar për bllokimin e qytetit dhe për shpenzimet marramendëse, që sipas raporteve shkuan deri në 50 milionë dollarë.







