Sektori fason në Shqipëri përballet me një krizë të thelluar, ku pas përfundimit të muajve të verës pritet një valë e re mbylljesh fabrikash dhe shkurtimesh të vendeve të punës. Paralajmërimi vjen nga kryetari i shoqatës ProEksport Albania, Edvin Prençe, i cili thekson se vështirësitë janë përshkallëzuar nga rënia e porosive, rritja e kostove dhe zhvlerësimi i euros.
Prençe nënvizon se sektori i manifakturës punëson mbi 60 mijë persona – kryesisht gra dhe të rinj – në zona ku kjo industri është punëdhënësi kryesor. Rënia e kërkesës nga partnerët europianë, forca e lekut ndaj valutave, rritja e kostove të prodhimit dhe mungesa e një kursi të mbrojtur për eksportuesit po vënë në rrezik ekzistencën e qindra bizneseve.
Vetëm nga nëntori 2023 deri në nëntor 2024 janë humbur 10 mijë vende pune për shkak të mbylljes së fabrikave, ndërsa zonat më të goditura janë Kruja, Fushë-Kruja, Laçi, Lezha dhe Shkodra.
Shoqata propozon masa emergjente si:
- Vendosjen e një kursi të mbrojtur industrial për transaksionet eksportuese;
- Paketa mbështetëse për uljen e barrës fiskale dhe sigurimeve shoqërore;
- Skema për kalimin nga fasoni në prodhim me cikël të plotë dhe vlerë të shtuar;
- Diversifikim të tregjeve përtej BE-së dhe promovim të eksporteve të reja.
Pavarësisht një rritjeje të lehtë në muajin maj, për 5-mujorin e parë të vitit 2025 trendi i eksporteve mbetet negativ. Sipas INSTAT, eksportet e tekstileve për janar-maj 2025 arritën në 25,7 miliardë lekë, duke pësuar një rënie prej 2,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa eksportet e veshjeve të këmbëve ranë me 0,5%, në totalin prej 19,6 miliardë lekësh.
“Nëse nuk merren masa konkrete, viti 2025 rrezikon të jetë ndër më të vështirët për industrinë prodhuese shqiptare, me pasoja afatgjata për ekonominë”, paralajmëron Prençe.