Shqipëria ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në perceptimin e rrezikut sovran gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, sipas një dokumenti të Komisionit Europian. Të dhënat tregojnë se spredi i bonove sovrane shqiptare në euro ndaj bonove të Thesarit të SHBA ka rënë ndjeshëm, duke zbritur në rreth 200 pikë bazë, një sinjal i qartë i besueshmërisë më të lartë financiare dhe uljes së perceptimit të rrezikut nga investitorët ndërkombëtarë.
Ky zhvillim lidhet me një kombinim faktorësh pozitivë: përmirësimi i indikatorëve fiskalë, stabiliteti makroekonomik dhe një perceptim më optimist për stabilitetin politik dhe integrimin evropian të vendit. Shqipëria pozicionohet më mirë se vende si Egjipti, Turqia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut sa i përket nivelit të rrezikut sovran.
Në fillim të shkurtit, Shqipëria emetoi me sukses një Eurobond 10-vjeçar prej 650 milionë euro, me një kupon 4.75% dhe yield 5%, ndër më të suksesshmit që nga viti 2010. Për më tepër, borxhi publik në fund të 2024-ës ra në 54.74% të PBB-së – niveli më i ulët që prej vitit 2008. Kjo ka ndikuar edhe në përmirësimin e vlerësimeve nga agjencitë Moody’s dhe Standard & Poor’s.
Pjesëmarrja e investitorëve të huaj në tregun e borxhit në lek ka shënuar rritje, me rreth 14 miliardë lekë të investuara në vitin 2024, që përbëjnë 28% të huamarrjes së brendshme të qeverisë. Ky interes në rritje ka sjellë më shumë likuiditet dhe ulje të kostove të huamarrjes, duke konsoliduar pozitën e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

