Një djalë 12-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në Castleford të Anglisë, më 27 qershor, pasi dyshohet se mori pjesë në sfidën virale dhe të rrezikshme të rrjeteve sociale të njohur si “blackout challenge”. Policia e West Yorkshire njoftoi se u thirr në banesën e tij pas raportimeve për një fëmijë në rrezik. Pavarësisht dërgimit në spital, djali nuk mundi të mbijetojë.
Një e afërme e tij, Agnieszka Czerniejewska, nisi një fushatë GoFundMe, ku e identifikoi viktimën si Sebastian dhe theksoi se “një sfidë në internet i mori jetën”. Ajo tregoi se Sebastian ishte një fëmijë i dashur, plot talent e ëndrra, që mësonte vetë të luante kitarë dhe pikturonte me pasion.
Sfida “blackout” përfshin ndërprerjen e oksigjenit drejt trurit përmes mbytjes së vetëdijshme për të përjetuar një ndjesi ekstreme – një praktikë me pasoja fatale, e lidhur me të paktën 20 vdekje, sipas një raporti të The Independent në vitin 2022.
Organizatorja e fushatës bëri thirrje për ndërgjegjësim mes prindërve mbi rreziqet e sfidave virale, duke theksuar se “asnjë prind nuk duhet të kalojë dhimbjen e humbjes së fëmijës”. Deri tani janë mbledhur mbi 4,100 dollarë për të ndihmuar familjen e të ndjerit. Hetimet mbi rastin vijojnë, edhe pse autoritetet nuk e konsiderojnë ngjarjen si të dyshimtë.








