Londra është renditur si qyteti i 15-të më i rrezikshëm për krimin në Evropë, sipas Indeksit të Krimit të Numbeo-s, duke ndezur alarmin mbi një epidemi në rritje të dhunës, grabitjeve dhe vjedhjeve që ka kapluar kryeqytetin britanik. Në rang botërori, qyteti zuri vendin e 100 nga 385 vende të analizuar, duke lënë pas qendra si Athina, Brukseli, Milano, Barcelona, madje edhe qytete amerikane si Nju Jorku dhe Los Anxhelesi.
Indeksi, i cili bazohet në sondazhe globale të qytetarëve dhe përditësohet rregullisht prej vitit 2012, e rendit Londrën dobët në katër kategori kyçe: niveli i krimit, rritja e krimeve në pesë vitet e fundit, problemet me shpërndarjen e drogës dhe pasiguria për të ecër i vetëm natën. Ndonëse është qyteti i pestë më i pasigurtë në Britani pas Bradfordit, Coventryt, Birminghamit dhe Manchesterit, shifrat mbeten alarmante.
Ngjarja më e bujshme së fundmi ishte sulmi ndaj prezantueses veterane Selina Scott, 74 vjeç, e cila u dhunua dhe grabit nga një grup i organizuar në mes të ditës në zemër të Londrës, pranë librarisë “Waterstones” në Piccadilly. Scott u godit pas gjurit nga pas, u përpoq të mbronte çantën, por grabitësit ia rrëmbyen portofolin. Sulmi ndaj saj ka shkaktuar zemërime të shumta në opinionin publik.
Statistikat flasin qartë: mbi 70,000 telefona të vjedhur vitin e kaluar, 90,000 raste dyqanvjedhjeje (me rritje 54%) dhe një pretendim për për dhunë seksuale çdo orë. Ish-oficeri i Scotland Yard, Peter Bleksley, e quajti Londrën “një gropë të ndyrë krimi”, ku edhe policia përpiqet të përballojë me vështirësi mungesën e stafit dhe rritjen e rrezikut.
Kryebashkiaku Sadiq Khan ka kaluar në mbrojtje, duke fajësuar qeveritë e mëparshme për nënfinancim kronik të Met Police, ndërsa opozita konservatore e ka akuzuar se është më i preokupuar me “politika korrektese” sesa me luftimin e krimit. Përballja politike për sigurinë në Londër sapo ka filluar, ndërsa qytetarët jetojnë në frikën se kush mund të jetë viktima e radhës.







