Një zjarr masiv në Foça të Izmirit, një ndër destinacionet më të frekuentuara turistike në Turqinë perëndimore, ka shkaktuar kaos për mijëra pushues dhe ka lënë qindra pasagjerë të bllokuar në aeroport. I favorizuar nga era e fortë dhe thatësira ekstreme, zjarri përfshiu lagje të tëra, ndërsa një person dyshohet se e nisi flakën duke i vënë zjarrin shtëpisë së tij. Autoritetet lokale raportojnë evakuimin e mbi 550 banorëve dhe më shumë se 20 orë luftë nga 625 zjarrfikës me ndihmën e helikopterëve dhe avionëve që hodhën ujë mbi zonat e përfshira. Katër zjarrfikës u helmuan nga tymi, dy prej të cilëve u dërguan në spital.
Në Greqi, zjarre të tjera të mëdha goditën ishullin Kios dhe zonat bregdetare përreth Athinës, ku është shpallur gjendje emergjente. Vetëm në Kios, më shumë se 10 mijë hektarë u dogjën në katër ditë, ndërsa qindra zjarrfikës, avionë dhe helikopterë janë angazhuar për shuarjen e flakëve. Ministri grek i Mbrojtjes Civile dyshon për zjarrvënie të qëllimshme dhe ka urdhëruar hetim penal.
E gjitha kjo ndodh ndërsa një “kupolë e nxehtësisë” mbulon Europën, me temperatura që tejkalojnë 40°C në Spanjë, Portugali, Itali e Francë. Qeveritë po vendosin masa emergjente për të mbrojtur të moshuarit dhe turistët nga valët ekstreme të të nxehtit. Spitalet raportojnë rritje të rasteve me goditje dielli, ndërsa në shumë qytete janë hapur qendra freskimi dhe janë dhënë alarme për mot ekstrem. Ekspertët paralajmërojnë se këto fenomene, të nxitura nga ndryshimet klimatike, do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më shkatërruese.













