Është dënuar me burgim të përjetshëm në Britaninë e Madhe, shqiptari Sabajet Shuti, 31 vjeç, pasi vrau bashkatdhetarin e tij Lumturi Zeqja në Londër dhe tentoi të arratisej jashtë vendit. Vendimi u dha nga Gjykata e Southwark të premten, më 27 qershor.
Ngjarja ndodhi më 16 tetor 2022 në Leytonstone, ku 27-vjeçari Lumturi Zeqja ndodhej jashtë një kafeneje me një mik. Asokohe Shuti dhe vëllai i tij mbërritën në vendngjarje me dy makina. Sipas hetimeve, vëllai i autorit, Emirlion Shuti, po bënte manovra të rrezikshme me makinë dhe kështu nisi sherri.
Situata përshkallëzoi derisa Sabajet Shuti nxori një thikë, duke goditur për vdekje Zeqjan dhe duke plagosur mikun e tij. Pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve të urgjencës, Zeqja humbi jetën në vendngjarje.
Pas ngjarjes, të dy vëllezërit u larguan.
Sabajet hoqi mjekrën për të ndryshuar pamjen dhe doli jashtë Britanisë së Madhe, duke kaluar në Francë përmes Folkestone. Ai u arrestua një vit më vonë, në tetor 2023, në Suedi dhe më pas u ekstradua në Mbretërinë e Bashkuar.
Emirlion Shuti u arrestua më herët dhe u shpall fajtor për pjesëmarrje në konflikt, duke marrë një dënim me 20 muaj burg me kusht.
Hetuesit e çështjes thanë se Sabajet Shuti kishte bërë përpjekje të mëdha për t’iu shmangur drejtësisë, duke theksuar se “veprimet e tij të dhunshme i kushtuan jetën një njeriu dhe shkaktuan dhimbje të thellë për familjen e viktimës“.
Shuti, njihet ndryshe edhe me nofkën “Skilla” dhe është i lidhur me grupin kriminal ‘Hellbanianz’.








