Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në shëtitoren e Felixstowe në Suffolk, Britani, ku një vajzë vetëm 2 vjeç ka pësuar dëmtime të rënda në kokë, pasi u përplas nga një burrë që po lëvizte me një electric unicycle – një pajisje e ndaluar për përdorim në hapësira publike.
Ngjarja ndodhi më 3 nëntor, ndërsa kamerat e sigurisë kapën momentin kur 50-vjeçari Andrew Wickenden nga Ipswich, kalonte me shpejtësi përmes këmbësorëve, duke mos treguar asnjë kujdes. Videoja ndërpritet pak çaste para përplasjes me vogëlushen, që ishte duke ecur me familjen e saj.
Vajza u transportua me urgjencë në spital me kafkë të thyer dhe gjakderdhje në tru, ndërsa gjendja e saj ishte kritike. Për fat të mirë, ajo i mbijetoi ngjarjes, por familja e saj jeton me ankthin për dëmet afatgjata që mund të ketë pësuar.
Në gjykatën e Ipswich, Wickenden pranoi fajin për drejtim të pakujdesshëm që shkaktoi dëmtime të rënda trupore. Ai u dënua me 14 javë burg me kusht, 150 orë punë vullnetare dhe iu hoq leja e drejtimit për 18 muaj.
Në deklaratën e saj, nëna e vajzës tha se nuk mund të harrojë momentin kur fëmija i saj ishte “mbuluar me të vjella, me mavijosje dhe plagë në gjithë trupin”. “Ishte një ndjesi tmerri dhe pafuqie që nuk do ta harroj kurrë,” tha ajo mes lotëve.
Policia britanike paralajmëroi se përdorimi i unicycle dhe pajisjeve të ngjashme në rrugë publike është i paligjshëm dhe përbën rrezik serioz për qytetarët. “Ky ishte një incident lehtësisht i parandalueshëm që për pak nuk përfundoi me fatalitet,” tha një oficer.













