FLASH :

Video/ Festa fetare e serbëve degjeneron në shfaqje nacionaliste në Kosovë

Policia e Kosovës ka ndërmarrë kontrolle të shtuara gjatë manifestimeve për festën e Vidovdanit, të mbajtura këtë 28 qershor në Gazimestan dhe Graçanicë, ku mijëra serbë u mblodhën për të përkujtuar betejën historike të vitit 1389. Mes masave të sigurisë janë shënuar disa ndalime dhe një arrestim, për shkak të shfaqjes së simboleve politike dhe përmbajtjes provokuese të veshjeve apo sloganeve.

Në Graçanicë, policia arrestoi një shtetas serb me inicialet V.P., organizator i një grupi pelegrinësh nga Beogradi, të cilët mbanin bluza me mesazhe politike si “Serbia e Bashkuar”, në ngjyrat e flamurit serb. Arrestimi u bë në prani të pjesëtarëve të KFOR-it dhe Inspektoratit Policor. Në Gazimestan, u ndaluan persona të tjerë që këndonin slogane si “Kosova është Serbi” dhe një individ që mbante flamurin serb gjatë kontrolleve të policisë.

Ndërkohë, patriarku serb Porfirije mbajti liturgjinë në Manastirin e Graçanicës, ku bëri thirrje për bashkëjetesë me shqiptarët, por theksoi se “Kosova është tokë e shenjtë për serbët”. Policia dhe autoritetet vendore vepruan mbi bazën e një vendimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës që ndalon përdorimin e simboleve etnike serbe në aktivitetet publike, për të shmangur provokimet ndëretnike.

Festa e Vidovdanit, që përkujton betejën e Kosovës kundër Perandorisë Osmane, është shpesh shoqëruar me tensione dhe mbikëqyrje të shtuar në veri dhe rreth zonave me shumicë serbe.