Një hetim i ri i publikuar nga Daily Mail ngre alarmin mbi përdorimin masiv të një pesticidi të rrezikshëm në disa shtete amerikane që prodhojnë ushqimet bazë të vendit. Bëhet fjalë për herbicidin 2,4-D, një përbërës aktiv në “Agent Orange” – kimikati famëkeq i përdorur nga ushtria amerikane gjatë Luftës në Vietnam – i cili sot përdoret në masë për spërkatjen e të lashtave si misër, soja, oriz, grurë, elb dhe duhan.
Shtetet me përdorimin më të lartë të 2,4-D sipas të dhënave të fundit të US Geological Survey (2019) janë: Iowa, Missouri, Kansas, Illinois, Indiana, Ohio, Kentucky, Oklahoma dhe pjesë të Teksasit – zona të njohura për bujqësi intensive. Ekspertët paralajmërojnë se ky pesticid është klasifikuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) si “ndoshta kancerogjen për njerëzit”, pasi dëmet në qeliza dhe rastet e kancerit janë vërtetuar në eksperimente me kafshë.
Rreziku i heshtur që përhapet në gjithë vendin
Megjithëse përdorimi i drejtpërdrejtë i 2,4-D ndodh vetëm në disa shtete, prodhimet e tyre shpërndahen në të gjithë SHBA-në – çka do të thotë se konsumatorët amerikanë janë potencialisht të ekspozuar, veçanërisht nëse produktet nuk lahen mirë. “Toksinat mund të grumbullohen në indet dhjamore, në mëlçi, veshka dhe palcë kockore, duke shkaktuar dëmtime serioze në qeliza e organe jetike”, paralajmëron Newsweek duke cituar profesorë nga universitete prestigjioze.
Studiuesit shtojnë se ndikimi hormonal i këtij pesticidi është gjithashtu shqetësues – mund të dëmtojë funksionet e estrogjenit, androgenit dhe hormoneve të tiroides, duke ndikuar në zhvillimin e kancerit, çrregullimeve riprodhuese, defekteve të lindjes dhe leukemisë tek fëmijët.
Shtetet më të pastra dhe rritja e rasteve me kancer
Në kontrast, shtete si California, New England, Arizona, Montana, Washington dhe Florida raportojnë pak ose aspak përdorim të 2,4-D, për shkak të prodhimeve të tjera bujqësore si brokoli, karrota, qepë, domate, etj. Megjithatë, sipas të dhënave nga CDC, Kentucky, Iowa dhe Louisiana – që janë në listën e shteteve me përdorimin më të lartë të këtij kimikati – kanë gjithashtu nivelin më të lartë të rasteve me kancer në SHBA.
A janë institucionet në heshtje?
Megjithëse studimet e shumta paralajmërojnë për rreziqet afatgjata, Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) vazhdon të e konsiderojë 2,4-D si të sigurt për përdorim. Në të kundërt, në Bashkimin Evropian, ky kimikat është i kufizuar ose i ndaluar në shumë vende, përfshirë Danimarkën dhe Norvegjinë.
Paralajmërimi për publikun
Ekspertët rekomandojnë që konsumatorët amerikanë të:
- Lajnë mirë frutat dhe perimet,
- Zgjedhin produkte organike,
- Shmangin qëndrimin pranë fushave të spërkatura,
- Dhe tregojnë kujdes për fëmijët dhe gratë shtatzëna.
Në fund, ndërsa rritet ndërgjegjësimi publik, po rritet edhe presioni mbi institucionet për të rishikuar sigurinë e vërtetë të një kimikati që dikur u përdor për të shkatërruar pyje në kohë lufte – dhe sot përfundon në tavolinën e ngrënies së miliona amerikanëve.








