Një ngjarje e pazakontë është shënuar paraditen e sotme në aksin rrugor Lezhë–Milot, pranë fshatit Gajush, ku një i ri ka refuzuar t’i bindet urdhrit të policisë për të ndaluar automjetin, duke u bërë shkak për një ndjekje nga efektivët e qarkullimit rrugor.
Sipas informacioneve paraprake, patrulla i ka bërë me shenjë mjetit të ndalonte, por drejtuesi ka rritur shpejtësinë dhe ka vijuar lëvizjen, duke shpërfillur urdhrat. Në përpjekje për ta ndaluar, policia ka qëlluar në drejtim të makinës. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar apo dëme në mjete të tjera dhe kalimtarë.
Pas disa minutash ndjekjeje, i riu u neutralizua dhe u shoqërua në komisariat. Grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e incidentit.







