Gjiganti i veshjeve sportive Nike ka paralajmëruar se do të përballet me një kosto shtesë prej 1 miliard dollarësh për shkak të tarifave të vendosura nga Presidenti Donald Trump, duke theksuar se do ta përballojë këtë barrë duke rritur çmimet për konsumatorët dhe duke shkurtuar varësinë nga Kina në zinxhirin e furnizimit.
Në një kohë kur kompania po përpiqet të rimëkëmbet pas një rënie dramatike prej 86% të fitimit neto në tremujorin e fundit, Nike po ristrukturon tre prej linjave më të rëndësishme – Air Force 1, Dunk dhe Air Jordan – për të ruajtur avantazhin në treg. Ndërkohë, lançimi i shumëpritur i bashkëpunimit me Kim Kardashian, “NikeSkims”, është shtyrë.
Por çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Me Nike që planifikon t’i transferojë kostot e tarifave te konsumatorët, pritet që çmimet e produkteve të saj të rriten globalisht – përfshirë edhe tregun shqiptar. Shumë prej produkteve Nike që gjenden në dyqanet shqiptare importohen përmes distributorëve zyrtarë në BE apo rajon, të cilët e ndjekin politikën globale të çmimeve. Nëse rritja e çmimeve aplikohet në këto tregje, rritja do të reflektohet menjëherë edhe në tregun shqiptar.
Konsideruar se Nike ka një konsum të gjerë tek të rinjtë dhe sportdashësit shqiptarë, kjo rritje pritet të ndihet sidomos tek linjat klasike dhe më të kërkuara. A do të ndikojë kjo në sjelljen e konsumatorëve shqiptarë? Kjo mbetet për t’u parë – por është e sigurt që edhe këpucët sportive mund të bëhen një “luks i ri” nëse tendenca vazhdon.







