Omead Afshar, një nga ekzekutivët më të lartë të Tesla-s, i cili kishte marrë përsipër përmirësimin e biznesit të kompanisë në Amerikën e Veriut dhe Evropë që nga fundi i vitit të kaluar, është shkarkuar nga Elon Musk, ndërkohë që shitjet e automjeteve elektrike vazhdojnë të bien në të dyja rajonet.
Afshar, i cili nisi karrierën e tij në Tesla si inxhinier në vitin 2017, u ngrit në postin e nënkryetarit për të mbikëqyrur operacionet në këto dy tregje kyçe në tetor të vitit 2023. Ai nuk dha koment për mediat, ashtu si edhe Musk apo vetë Tesla.
Shkarkimi i tij vjen vetëm disa ditë para përfundimit të tremujorit të dytë, në një kohë kur Tesla ka shënuar rënien e pestë radhazi të shitjeve në Evropë. Edhe shitjet në SHBA janë në rënie këtë vit, ndërsa në Kinë – tregu më i madh i Tesla-s – u raportua një rënie prej 15% vetëm në muajin maj.
Sipas analistëve financiarë, pritet që dërgesat globale të automjeteve të Tesla-s për këtë tremujor të bien me të paktën 10%, duke zbritur në rreth 392,800 njësi nga 443,956 të një viti më parë.
Popullariteti i rënë i markës është ndikuar gjithashtu nga lidhja e ngushtë e Musk me ish-presidentin Donald Trump dhe mbështetja e tij financiare për të, si dhe përfshirja në nismën federale DOGE për shkurtimin e vendeve të punës. Ndërkohë, kompania po përballet me sfida të mëdha: Cybertruck, i shumëpërfolur, nuk arriti objektivat e prodhimit, ndërsa konkurrenca nga prodhuesit kinezë të makinave elektrike po rritet me ritme të shpejta.
Në vend që të prezantojë modele të reja për të rritur shitjet, Musk ka zhvendosur fokusin te robotaksitë, robotët humanoidë dhe inteligjenca artificiale – një kthesë e vështirë, duke qenë se makinat elektrike, bateritë dhe shërbimet e karikimit përbëjnë pothuajse të gjithë të ardhurat e Tesla-s.
Më 22 qershor, kompania nisi një version pilot të shërbimit të saj të robotaksive në Austin, Teksas. Megjithëse nuk u raportuan aksidente apo lëndime, u bë e qartë se Tesla nuk është ende e gatshme të konkurrojë me rivalë si Waymo e Alphabet. Në këtë testim të kufizuar, disa automjete Model Y ofruan udhëtime automatike me teknikë sigurie në sediljen e përparme, vetëm për një grup të përzgjedhur përdoruesish dhe në një zonë prej rreth 30 miljesh katrorë të qytetit. Edhe në këtë mjedis të kontrolluar, pati raportime për sjellje të çrregullt të makinave dhe Administrata Kombëtare për Sigurinë në Autostrada (NHTSA) tha se po shqyrton rastet me kompaninë.
Në një profil të publikuar nga Wall Street Journal në nëntor 2024, Afshar u përshkrua si “rregulluesi i Musk” dhe një nga figurat më të fuqishme në Tesla. Ai u zhvendos në selinë e re në Austin kur Musk ristrukturoi ekipin drejtues. Në një postim në X më 23 qershor, Afshar e përshëndeti nisjen e robotaksive:
“Ditë historike për Tesla. Vite të tëra punë dhe përqendrim nga kaq shumë njerëz brenda kompanisë. Faleminderit, Elon, që na shtyn gjithmonë përpara!”
Largimi i tij, i raportuar gjithashtu nga Bloomberg, pason dorëheqjen e Milan Kovac, kreut të ekipit të robotit humanoid Optimus në Tesla, në fillim të këtij muaji.
Aksionet e Tesla-s u mbyllën të enjten pa ndryshim të ndjeshëm, me vlerën 325.78 dollarë. Ato kanë rënë me 19% që nga fillimi i vitit.







