Izraeli kreu një nga operacionet më tronditëse në historinë moderne të spiunazhit dhe luftës së asimetrike, duke asgjësuar në një goditje të vetme elitën ushtarake dhe shkencore të Iranit. E koduar si “Dasma e Kuqe”, referencë ndaj episodit famëkeq të serialit Game of Thrones, sulmi ndodhi më 13 qershor, kur dhjetëra bomba të koordinuara shpërthyen në Teheran. Nga një bunker nën selinë e Forcave Ajrore, gjeneralët izraelitë ndoqën me tension fatin e operacionit që kishte marrë vite planifikim. Brenda pak minutash, të paktën 30 zyrtarë të lartë ushtarakë dhe nëntë shkencëtarë kryesorë bërthamorë u vranë, përfshirë krerët më të lartë të Gardës Revolucionare Islamike dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit.
Në prapaskenë, kryeministri Benjamin Netanyahu zhvilloi një fushatë të gjerë mashtrimesh: shtirej se po përgatitej për martesën e të birit Avner, ndërsa fshehurazi koordinonte sulmin me SHBA. Madje, ai simulojë një “përçarje diplomatike” me Donald Trump për të siguruar që Irani të mos dyshonte. Vetëm pak ditë më vonë, Trump vetë urdhëroi bombardime me bomba shkatërruese në tre objekte bërthamore në Iran. Nga llogaritjet më të fundit, mbi 1,000 njerëz janë vrarë në Iran, përfshirë 318 ushtarakë. Në mënyrë të pabesueshme, drejtuesit ushtarakë iranianë, në vend që të shpërndaheshin, u mblodhën të gjithë në një vend për një takim strategjik – një gabim fatal që lejoi Izraelin t’i eliminonte të gjithë menjëherë. Ndër viktimat kryesore ishin gjeneralët Mohammad Bagheri, Hossein Salami, Gholamali Rashid, Amir Ali Hajizadeh dhe Davood Sheikhian – pjesa më e lartë e komandës ushtarake të Iranit.
Operacioni u parapri nga infiltrimi shumëvjeçar i agjentëve izraelitë në territorin iranian, të cilët futën drone dhe eksplozivë të maskuar në valixhe e konteinerë. Plani i detajuar përmbante 250 objektiva, të identifikuara nga një ekip prej 120 ekspertësh të inteligjencës dhe aviacionit në nëntor 2024. Suksesi absolut i Izraelit jo vetëm që tronditi Iranin, por nxori zbuluar paaftësinë e aleatëve dhe forcave proiraniane për të reaguar. Sipas analistit amerikan Michael Makovsky, “Izraeli e poshtëroi Iranin”, ndërsa shumë nga qytetet izraelite mbetën viktima të vetëm një reagimi të zbehtë.









