FLASH :

Albpetrol ndot në mënyrë vdekjeprurëse Vjosën, pse hesht shteti?

Një nga pasuritë më të mëdha natyrore të Shqipërisë dhe Evropës Lumi i Vjosës po përballet me një skandal të rëndë mjedisor që kërcënon të zhdukë biodiversitetin dhe ekosistemin unik të tij. Edhe pse u shpall Park Kombëtar në mars të vitit 2023 dhe u propozua për t’u përfshirë në Rrjetin e Rezervave të Biosferës të UNESCO-s, Vjosa po ndotet në mënyrë të vazhdueshme nga mbetjet e industrisë së naftës që rrjedhin drejt lumit përmes përroit të Mërtirajt, në afërsi të Poçemit, në Mallakastër. Pamje të shpërndara nga organizata “EcoAlbania” dhe aktivisti ndërkombëtar Joshua David Lim tregojnë përmasat e ndotjes, ku një gjarpër i ngordhur nga kontakti me naftën është kthyer në simbol të alarmit që po ngrihet. Lim, në rrjetet sociale, e cilëson Vjosën si një “lumë të vdekur, ku asgjë nuk mbijeton më”.

Përgjegjës për këtë ndotje është fusha naftëmbajtëse Gorisht-Kocul, e administruar nga kompania Albpetrol, ku ndodhen mbi 150 puse aktive që depërtojnë deri në 1500 metra thellësi.

Një nga kanalet kryesore të ndotjes është përroi që rrjedh nga stacioni i përpunimit të naftës dhe që, në mungesë të mirëmbajtjes dhe kontrollit, e derdh përmbajtjen e tij të rrezikshme direkt në Vjosë. Sipas një njohësi të situatës, ndotja nuk është thjesht mjedisore, por po shkatërron edhe jetën bujqësore: Një fermer ka humbur 16 lopë si pasojë e helmimit nga dekantimi i naftës. Edhe pse aty ndodhet një gropë e madhe, e ndërtuar që në kohën e Enver Hoxhës, për mbledhjen e mbetjeve të naftës, ajo rrallëherë pastrohet dhe më shpesh thjesht i derdhin mbetjet në Vjosë. Kjo mënyrë e papërgjegjshme menaxhimi po shndërron lumin më të egër të kontinentit në një vatër ndotjeje me pasoja të rënda për florën, faunën dhe shëndetin publik.

Biologu Olsi Nika nga organizata “EcoAlbania” nënvizon se ky është një problem i vjetër që ka vazhduar edhe pas shpalljes së Vjosës si Park Kombëtar. “Kemi hartëzuar të gjitha presionet mbi parkun, nga ndërtimet te ndotjet industriale. Nafta që derdhet nuk ndot vetëm përroin, por përçon substanca të rrezikshme përfshirë metale të rënda në gjithë trupin e lumit,” shprehet ai. Nika paralajmëron se jeta në këtë ekosistem është në rrezik të plotë: “Kemi gjetur të ngordhur gjarpërinj, zogj dhe amfibë. Është si një shtëpi e shkatërruar ku nuk ka kushte për jetë.” Ai i bën thirrje qeverisë, Albpetrolit dhe institucioneve përgjegjëse që të hartojnë menjëherë një plan të plotë rehabilitimi dhe që parimi “ndotësi paguan” të zbatohet në mënyrë konkrete dhe efektive.

Në vend që të mbrohet si një thesar natyror dhe krenari kombëtare, Vjosa po përdhoset nga neglizhenca institucionale dhe praktikat mjedisore të rrezikshme.