FLASH :

Video/Grabitja e pabesueshme në mes të Londrës tregon se si ka marrë fund qyteti

Një udhëtim i thjeshtë njëditor në Londër është kthyer në një rrëfim tronditës që ka prekur miliona njerëz në rrjet – mbi 12 milionë klikime – pasi profesori dhe publicisti Matt Goodwin denoncoi publikisht gjendjen e mjerueshme të kryeqytetit britanik nën drejtimin e kryebashkiakut laburist Sadiq Khan.

Në një seri postimesh në rrjetet sociale, Goodwin përshkroi Londrën si një qytet të shtrenjtë, të pasigurt dhe të degraduar: biletat e trenit afro 30 paund, vonesa prej 40 minutash për shkak të “problemeve me sinjalistikën”, transport i ndotur, çmime të kripura në bare, keqkuptime kulturore, hajdutë rrugësh dhe lypës në çdo cep.

Por përtej detajeve të përditshme, Goodwin shtron një shqetësim më të thellë: Londra, sipas tij, është në rënie të lirë sociale, kulturore dhe demografike. Ai shënjestron shkaqet: emigracioni masiv, krimi urban, rënia e rendit dhe një model ekonomik që mbështetet te puna me paga të ulëta dhe te migrimi jo-europian.

Sipas të dhënave që ai citon, vetëm një e treta e banorëve të Londrës janë britanikë të bardhë vendas; në disa shkolla publike nuk ka asnjë fëmijë që e ka anglishten gjuhë të parë. Rreth 600 mijë emigrantë të paligjshëm mund të jetojnë në qytet, sipas një raporti të Thames Water. Vetëm vitin e kaluar u raportuan 70 mijë vjedhje telefonash, 90 mijë raste grabitjesh dyqanesh, një përdhunim çdo orë dhe një rënie dramatike e normës së lindshmërisë – më e ulëta në Mbretërinë e Bashkuar.

Goodwin thekson se kjo nuk është një kritikë ndaj emigrantëve si individë, por ndaj një modeli politik që po e shpërbën identitetin e një qyteti dikur simbol të britanikëve. Ai flet për “Yookayfication” – një term që përshkruan një vend pa identitet të qartë, të mbushur me një përzierje të çrregullt kulturash, gjuhësh dhe zakonesh.

Në fund, pyetja më e rëndë që ngre: “Çfarë ndodh kur popullsia britanike e bardhë në Londër zbret nën 20 për qind? A është ende kjo Londra që njohim?” Një alarm i fortë për një metropol që dikur ishte krenaria e Perandorisë dhe sot, sipas tij, po e humb shpirtin.