FLASH :

Video/Momenti kur arbitri në Brazil arrestohet dhe nxirret nga fusha me pranga

Një arbitër futbolli në Brazil është arrestuar në mes të ndeshjes, ndërsa lojtarët dhe tifozët e tronditur panë skenën e pazakontë të shoqërimit të tij me pranga nga policia.

Pamjet dramatike tregojnë momentin kur Ederson Carlos da Silva, 38 vjeç, po i jepte një karton të verdhë një lojtari në një ndeshje amatore në Guarujá, të dielën. Pikërisht në atë çast, oficerë me jelekë antiplumb hynë me shpejtësi në fushë dhe e ndaluan.

Da Silva ishte në kërkim si i dyshuar për pjesëmarrje në një rrjet trafiku droge që vepronte në shtetin brazilian të São Paulos. Hetimet ndaj tij nisën në nëntor 2024, kur një kamion me 450 kg kokainë u ndalua nga policia në São Paulo.

Shefi i Policisë Civile të Guarujás, Glaucus Silva, deklaroi për mediat lokale se da Silva u lokalizua përmes postimeve të tij të shpeshta në rrjete sociale: “Ai ka një jetë shumë aktive dhe sociale. Ishte tashmë në radar.”

Sipas autoriteteve, da Silva ishte përgjegjës për logjistikën e rrjetit kriminal, duke përdorur shtëpi të marra me qira për ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës. Megjithatë, policia nuk ishte në dijeni se ai punonte si arbitër në ndeshje futbolli amatore.

Në kërkim janë edhe gjashtë persona të tjerë të përfshirë në të njëjtin rrjet.