Britanikët po “zhduken nën tokë” – ose po përpiqen të gjejnë një mënyrë për ta bërë këtë – ndërsa frika nga një luftë bërthamore ka ndezur ethet për bunkerë të stilit të Luftës së Ftohtë. Kërkesa për strehimore bërthamore është rritur me 1000% vetëm në ditët e fundit, sipas kompanisë “Burrowed”, që prodhon struktura nëntokësore për banim apo qëllime emergjente.
Kjo rritje drastike lidhet me përshkallëzimin e konfliktit Izrael-Iran dhe ndërhyrjen ushtarake amerikane të urdhëruar nga Donald Trump, që ka ringjallur frikën e një konflikti global. Me paralajmërimet e fundit të qeverisë britanike për “përgatitje aktive për një sulm të mundshëm në tokën britanike”, qytetarët po kërkojnë alternativa për të mbrojtur veten dhe familjet e tyre.
Matt Wright, drejtor i “Burrowed”, thotë për MailOnline se kompania e tij ka marrë mijëra kërkesa:
“Ndodhem në zyrë gjithë ditën duke iu përgjigjur kërkesave që vijnë me ritme të çmendura. Kërkesa ishte rritur me 300% kur Rusia pushtoi Ukrainën, por tani është rreth dhjetëfishuar.”
Fillimisht e fokusuar në akomodime pushimi nën tokë, kompania ka kaluar drejt ndërtimit të bunkerëve që përfshijnë gjithçka: dyer hermetike, furnizim me ujë të pastër, banjo me dush dhe tualet kompostues, ngrohje elektrike, kuzhinë të plotë, shtretër, divane, hapësira magazinimi dhe karikim diellor.
Për ata që duan më shumë luks, bunkerët mund të përfshijnë tavolina bilardoje, ishuj kuzhine apo dhoma kinemaje, ndërsa dizajni siguron që të shkrijnë në mënyrë diskrete me ambientin shtëpiak.
Çmimet fillojnë nga 25 mijë paund për modelet e thjeshta (nëse je “DIY-handy”) dhe arrijnë deri në 157 mijë paund për strukturat më të mëdha e të sofistikuara që strehojnë deri në 8 persona dhe shkojnë deri në 16 metra gjatësi.
Strukturat janë bërë me plastikë të veçantë, rezistente ndaj ujit dhe kimikateve, dhe kanë jetëgjatësi deri në 125 vjet. Lloji më i kërkuar është ai në formë tubi rrethor, që përdor forcat natyrore të tokës për mbrojtje.
Sidoqoftë, jo të gjithë mund të instalojnë një bunker – ata që jetojnë në shtëpi me kopshte të vogla ose në banesa të tipit urban nuk përfitojnë dot. Kompania rekomandon edhe marrjen e lejes së ndërtimit, por shumë klientë preferojnë ta shmangin me justifikime si “do them që është një depo uji” apo “më vonë aplikoj për leje retrospektive”.
Qeveria britanike ka paralajmëruar për herë të parë pas shumë vitesh se vendi duhet të përgatitet për një “skenar lufte”, në një kohë kur tensionet globale po përshkallëzohen dhe siguria kombëtare shihet gjithnjë e më shumë si e kërcënuar.







