FLASH :

“Shtëpia e babit”/Video e Shtëpisë së Bardhë për Trump bëhet virale

Shtëpia e Bardhë ka publikuar një video të montuar me këngën “Hey Daddy (Daddy’s Home)” të Usher, duke ironizuar në mënyrë provokuese epitetin e papritur që iu dha Presidentit Donald Trump gjatë samitit të NATO-s në Hagë. Videoja, e cila u bë virale në rrjetet sociale, shfaq momentet e kthimit të Trump-it në SHBA dhe pamje nga takimet e tij me liderët botërorë, teksa në sfond dëgjohet refreni: “Daddy’s home… it’s time to play.” Pamjet përfshijnë gjithashtu edhe sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, si dhe takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Kjo vjen vetëm pak orë pasi Rutte shkaktoi një valë reagimesh ndërkombëtare kur, gjatë një deklarate për konfliktin Iran-Izrael, tha se “daddy duhet të flasë ashpër për t’i ndarë.” Trump, sipas tij, po përdorte gjuhë të fortë për të ulur tensionet mes dy vendeve, si “një baba që ndërhyn mes dy fëmijëve që grinden.” Komenti u interpretua gjerësisht si një etiketim i Trump si “daddy”, gjë që Rutte u përpoq të zhbënte më vonë duke deklaruar se “nuk e kam quajtur Presidentin Trump ‘daddy’, por përdora një metaforë për rolin udhëheqës të SHBA-së në NATO.”

Por Trump duket se e përqafoi rolin me entuziazëm. I pyetur nga një gazetar gjatë konferencës për shtyp për këtë koment, ai u përgjigj me humor: “Ai më do. Nëse nuk më do, do t’jua them dhe do ta godas fort, OK?” – duke shtuar se Rutte “e tha me shumë dashamirësi.”

Videoja ka ndarë opinionin publik: përkrahësit e Trump e cilësuan një goditje të shkëlqyer ndaj “elitave që nuk e kuptojnë popullin”, ndërsa kritikët e panë si një tjetër sinjal alarmi për normalizimin e politikës spektakolare. “Nuk jemi një popull serioz,” shkroi një komentues. “Nuk besoj se Usher kishte këtë në mendje kur shkroi këngën,” tha një tjetër.

Përtej shfaqjes, Trump mbajti tone më serioze kur foli për rezultatet e samitit, duke deklaruar se kishte arritur një fitore të rëndësishme: një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet e NATO-s. “Ata duan ta mbrojnë vendin e tyre dhe na duan ne. Pa SHBA-në, NATO nuk është njësoj,” tha Trump.

Ndërkohë, presidenti amerikan ka shpërthyer kundër mediave si CNN dhe New York Times për raportimet se bombardimet amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit nuk kishin shkaktuar dëmet që ai pretendon. Ai i cilësoi raportet si “lajme të rreme” dhe akuzoi gazetarët për përpjekje për të “ulë reputacionin e PRESIDENTIT DONALD J. TRUMP.” Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth pritet të mbajë një konferencë për shtyp ku, sipas Trump-it, do të paraqiten “prova të pakundërshtueshme” për suksesin e operacionit.

Në një postim në Truth Social, Trump shkroi se “këta Patriotë fluturuan për 36 orë nëpër territor armik. Ata e dinin që operacioni ishte legjendar, por pastaj lexuan gënjeshtrat e CNN dhe Times. Ata u tronditën.” Trump shtoi se të enjten do të bëhet publike e vërteta “në emër të Dinjitetit të Pilotëve tanë të mëdhenj amerikanë.”