Një ngjarje e rëndë është shënuar në Foria di Centola, në provincën e Salernos, Itali, ku një 25-vjeçar shqiptar humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri gjatë një tentative grabitjeje në një vilë private. Trupi i të riut u gjet sot, pas dy ditësh kërkimesh intensive, në një zonë të thellë të San Severino di Centola, i fshehur brenda një thesi në mes të bimësisë.
Sipas raportimeve të mediave italiane, pronari 60-vjeçar i shtëpisë, pas shkëmbimit të zjarrit me tre grabitësit, plagosi një prej tyre dhe më pas dyshohet se qëlloi për vdekje 25-vjeçarin, trupin e të cilit e zhvendosi për ta fshehur. Një nga të plagosurit ndodhet në spital në Napoli, ndërsa personi i tretë është ende në arrati. Italiani është vënë nën hetim për vrasje dhe fshehje trupi.
Ngjarja ka agravuar më tej kur 30 shqiptarë të tjerë, të gjithë nga provinca e Kazertës dhe bashkëkombës të viktimës e të plagosurit, janë paraqitur përballë shtëpisë së italianit, në dukje për hakmarrje. Përplasja u shmang vetëm pas ndërhyrjes së policisë, ndërsa hetimet vijojnë.