Nga qyteti historik i Beratit, Policia e Shtetit Shqiptar, në cilësinë e Presidentes së SEPCA-s (Asociacioni i Shefave të Policisë së Europës Juglindore) për vitin 2025, po drejton punimet e Asamblesë Rajonale të Drejtuesve të Policive të Europës Juglindore. Në qendër të diskutimeve janë sfidat kryesore të sigurisë në rajon, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, përballjen me krimin kibernetik, goditjen e rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve, dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave hetimore dhe operacionale.
Në fjalën hapëse të tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, theksoi rëndësinë e këtij forumi ndërkombëtar dhe uroi mirëseardhjen përfaqësuesve të policive pjesëmarrëse dhe organizatave partnere në qytetin e Beratit – simbol i trashëgimisë kulturore dhe historisë europiane. Ai falënderoi në veçanti përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe ngriti çështjen e rëndësisë që Kosova të bëhet pjesë zyrtare e SEPCA-s, në funksion të luftës së përbashkët kundër krimit ndërkufitar.


Në fjalimin e tij të zgjeruar, Proda theksoi se “kur krimi organizohet, edhe rendi duhet të mirorganizohet”, duke nënvizuar përkushtimin e Policisë së Shtetit për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme dhe veprimin e koordinuar me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë. Ai shtoi se fenomenet kriminale nuk njohin më kufij dhe përballja me to kërkon bashkëpunim të gjithanshëm, të koordinuar dhe të qëndrueshëm.
Drejtori Proda solli në vëmendje hapat e ndërmarra nga Policia e Shtetit në kuadër të reformimit të strukturës, rritjes së kapaciteteve teknologjike dhe operacionale, si dhe forcimit të bashkëpunimit me agjencitë ndërkombëtare si INTERPOL, EUROPOL, SELEC dhe përmes mekanizmave të përbashkët për kontroll kufitar dhe shkëmbim informacioni.
Ai evidentoi rezultatet konkrete të arritura në luftën kundër narkotikëve, kontrabandimit të emigrantëve, trafikimit të qenieve njerëzore dhe pastrimit të parave. Në mënyrë të veçantë, u theksua rëndësia strategjike e hetimeve financiare dhe rikuperimit të pasurive të paligjshme, si një instrument kyç në ndërprerjen e fuqisë ekonomike të grupeve kriminale.


Në kuadër të presidencës shqiptare të SEPCA-s për vitin 2025, Proda paraqiti edhe një seri iniciativash të rëndësishme që do të ndërmerren gjatë vitit, si trajnime mbi hetimet financiare, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit kibernetik, sfidat që sjellin kriptovalutat dhe platformat digjitale kriminale, promovimi i barazisë gjinore dhe rolit të grave në polici, si dhe prezantimi i raportit të vlerësimit të kërcënimeve rajonale.
Ai theksoi se kjo asamble nuk është thjesht një forum diskutimi, por një hap konkret drejt ndërtimit të një platforme të qëndrueshme bashkëpunimi dhe një kulture të përbashkët sigurie në Ballkanin Perëndimor. “Në një botë pa kufij për krimin, detyra jonë është të ndërtojmë ura më të forta dhe efikase komunikimi, bashkëpunimi dhe besimi,” tha ai.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Drejtori i Policisë së Shtetit falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe angazhimin e tyre të palëkundur, duke shprehur bindjen se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një partner aktiv dhe i besueshëm në luftën kundër të gjitha formave të krimit, dhe një mbështetës i fortë i sigurisë kolektive në rajon.
Asambleja Rajonale e SEPCA-s në Berat shënon një moment kyç për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe parandalimit të krimit, duke e pozicionuar Shqipërinë si një aktor të rëndësishëm në arkitekturën e re të sigurisë së Europës Juglindore.