Armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit, i shpallur nga Presidenti amerikan Donald Trump, duket se po respektohet, teksa Izraeli vazhdon ofensivën e tij në Rripin e Gazës, ku që nga mesnata janë vrarë të paktën 21 palestinezë.
Shtëpia e Bardhë ka mohuar një raport të inteligjencës që pretendon se bombardimet amerikane ndaj impianteve bërthamore iraniane nuk i kanë shkatërruar plotësisht ato dhe vetëm e kanë vonuar programin për disa muaj. Si Izraeli ashtu edhe Irani kanë pretenduar fitore në luftën 12-ditore: në Teheran janë mbajtur festime masive, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar si një triumf historik për brezat e ardhshëm.
Sipas autoriteteve iraniane, të paktën 610 persona janë vrarë që nga 13 qershori, përfshirë 13 fëmijë, dhe 3,056 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite. Ndërkohë, në Izrael, sulmet iraniane kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 28 personave.
Në Gaza, ofensiva izraelite ka lënë pas mbi 56,077 të vrarë dhe 131,848 të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Kujtojmë se më 7 tetor, rreth 1,139 persona u vranë në Izrael nga sulmet fillestare palestineze dhe mbi 200 u morën peng.
Vetëm gjatë mëngjesit të sotëm, Izraeli ka vrarë të paktën 31 persona në Gaza, sipas burimeve spitalore. Midis tyre, të paktën 10 persona u vranë ndërsa kërkonin ndihma humanitare. Në Rafah, një tjetër palestinez që kërkonte ndihma u vra nga zjarri izraelit, ndërsa pesë të tjerë mbetën të plagosur.
Në Bregun Perëndimor, forcat izraelite kanë qëlluar për vdekje një grua të moshuar gjatë një bastisjeje në kampin Shu’fat pranë Jerusalemit. Sipas agjencisë palestineze Wafa, viktima është identifikuar si Zahia Judah al-Obaidi, 66 vjeçe. Portali izraelit Ynet njofton se policia izraelite ka hapur një hetim për incidentin.