Përmbytje masive kanë përfshirë provincën Guizhou në jugperëndim të Kinës, ku reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumenjve, shembjen e rrugëve dhe paralizimin e jetës urbane. Në qytetin Rongjiang, me mbi 300 mijë banorë, rrugët janë kthyer në lumenj, ndërsa uji ka pushtuar bodrumet e qendrave tregtare dhe garazhet nëntokësore. Pamjet tregojnë makina të përmbytura, rrugë të shkatërruara dhe qytetarë të izoluar.
Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e banorëve nga zonat fushore dhe përgjatë lumenjve, ndërkohë që një urë në rrugën për në Rongjiang u shemb pas një rrëshqitjeje dheu, duke kërcënuar jetën e drejtuesve të automjeteve që ndodheshin aty.
Shkencëtarët paralajmërojnë se përmbytje të tilla do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike. Organizata Botërore Meteorologjike tha se Azia po ngrohet pothuajse dy herë më shpejt se mesatarja globale, çka po sjell mot gjithnjë e më ekstrem në rajon. Ndërsa Guizhou dhe provincat e tjera jugore përballen me përmbytje masive, pjesët veriore të Kinës po përvëlohen nga temperatura deri në 40°C.
Pamjet e frikshme që vijnë nga Rongjiang, tregojnë se si qyteti është “gllabëruar” nga uji brenda pak orësh. Si pasojë, një ngjarje e rëndë ka ndodhur ku një urë në hyrje të qytetit ra pas rrëshqitjes së dheut, duke lënë një kamion të pezulluar në ajër mbi një humnerë dhe duke kërcënuar një tragjedi të mundshme, por shoferi shpëtoi pas ndërhyrjes së shpejtë të ekipit të emergjencës. Evakuimet dhe ndalimet e trafikut janë në fuqi për sigurinë e banorëve dhe për të vijuar hetimet për shkaqet dhe dëmet.