Nga Alketa Kamenica
Sot është 24 qershor 2025. Kanë kaluar rreth 20 muaj që kur nisi ofensiva më e egër që bota moderne ka parë ndaj një popullsie të bllokuar, pa mbrojtje, pa dalje. Më 7 tetor 2023 nisi zyrtarisht ajo që sot shumë e quajnë pa mëdyshje: një gjenocid i dokumentuar ndaj popullit të Gazës.
Prej atëherë, Gaza është kthyer në një fushë të hapur vdekjeje. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri sot, janë vrarë mbi 53,000 njerëz – shumica gra dhe fëmijë. Por përtej shifrave të konfirmuara nga burime shëndetësore lokale, janë të dhënat e analizuara nga Harvard DataVerse, të cilat, në bazë të shifrave të vetë ushtrisë izraelite, tregojnë se rreth 377,000 njerëz rezultojnë të zhdukur nga Gaza. Popullsia e Gazës ka rënë nga 2.227 milionë në vetëm 1.87 milionë, çka përfaqëson një reduktim me pothuajse 18% të popullsisë totale. Gjysma e të zhdukurve llogaritet të jenë fëmijë.
Për muaj të tërë, shumica e botës heshti. Por situata u përkeqësua në mënyrë drastike në fillim të këtij viti, kur Izraeli mbylli çdo rrugë për ndihma humanitare – as ushqime, as ilaçe, as ujë nuk lejohej të hynte në Gaza. Njerëzit filluan të vdisnin urie, nën rrënoja, në spitale pa anestezi. Dhe më në fund, në muajt e fundit, kjo gjendje nisi të depërtonte në opinionin publik ndërkombëtar. U panë protestat e para masive, liderë të shteteve filluan të thyenin heshtjen, dhe kulmi i jehonës globale erdhi me misionin Freedom Flotilla – anija që tentoi të çante bllokadën me ndihma. Ajo u ndalua dhunshëm; disa aktivistë u arrestuan dhe ende nuk dihet se ku ndodhen, ndërsa figura si Greta Thunberg u deportua në mënyrë demonstrative.
Por, pikërisht kur kjo situatë po fitonte terren mediatik dhe njerëzit po fillonin të shihnin me sy realitetin në Gaza, ndodhi ajo që sot duket si një manovër e përkryer propagandistike: Izraeli sulmon Iranin – “armikun e përhershëm” të Perëndimit. Një sulm spektakolar ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake, i koordinuar me mbështetjen e SHBA, e kthen menjëherë vëmendjen e opinionit global në një “konflikt të ri, më të madh”. Titujt e gazetave ndryshuan brenda ditës: nga Gaza në Natanz. Nga foshnjat që vdisnin pa qumësht, te dronët që godisnin centralet iraniane.
Në këto ditë që të gjithë po flasin për Iranin, në Gaza po vriten më shumë se 100 persona çdo ditë. Shumica prej tyre janë civilë – burra, gra, fëmijë – që qëndrojnë me orë të tëra pranë korridoreve humanitare për një thes miell apo një qese ilaçesh. Këto të dhëna janë konfirmuar nga gazeta izraelite Haaretz dhe organizata izraelite për të drejtat e njeriut B’Tselem, të cilat raportojnë se, vetëm gjatë këtyre ditëve të “zhvendosjes së vëmendjes”, kanë humbur jetën qindra njerëz, ditë pas dite, shumë prej tyre gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare.
Kjo që ndodhi nuk është rastësi. Është shembulli klasik i asaj që teoricienët e komunikimit, si Maxwell McCombs dhe Donald Shaw, e quajnë zhvendosja e vëmendjes kolektive (agenda-setting diversion). Sipas kësaj teorie, kur një shtet apo një aktor humbet mbështetjen ndërkombëtare për shkak të një krize të brendshme (në këtë rast, Gaza), ai gjeneron një “krizë të re” që është më afër interesave të masave ndërkombëtare (në këtë rast, kërcënimi iranian), për të zhvendosur vëmendjen dhe për të ulur presionin. Sulmi ndaj Iranit, ndonëse i rrezikshëm dhe i diskutueshëm, u përdor si një mekanizëm i qartë për të rimarrë kontrollin mbi narrativën.
Kështu, në vend që të flisnim për fëmijët palestinezë që vdesin pa ujë, ne po flasim për bunkerët iranianë. Në vend që të kërkojmë llogari për arrestimin e aktivistëve të paqes, po analizojmë satelitët mbi Teheran. Në vend që të ngremë zërin për 377,000 të zhdukur, po shqetësohemi për reagimin e bursave ndërkombëtare.
E gjitha kjo ndodh, ndërkohë që njerëzit në Gaza vazhdojnë të zhduken. Të vriten. Të harrohen.
Në një botë ku pushteti më i madh është kontrolli i narrativës, kjo është një betejë ku fjalët vrasin po aq sa armët. Dhe nëse nuk e mbajmë vëmendjen aty ku dhimbja është reale, historia do të na gjykojë jo për atë që bëmë – por për atë që vendosëm të injorojmë.
Nuk është hera e parë që ndodh. Por është një nga herët më brutale, më të hapura dhe më të dokumentuara.
Dhe nëse bota do ta harrojë këtë moment, kjo nuk do të ndodhë sepse mungojnë faktet. Do të ndodhë sepse dikush tjetër vendos për ne se çfarë është “lajm”.







