FLASH :

Horror në aeroportin e Moskës: Turisti hedh foshnjën 18-muajshe me kokë në tokë – fëmija në koma, autori nën efektin e drogës

Pamje tronditëse janë publikuar nga aeroporti Sheremetyevo në Moskë, ku një turist i identifikuar si Vladimir Vitkov, 31 vjeç nga Bjellorusia, u kap nga kamerat e sigurisë duke kapur dhe përplasur në tokë një djalë të vogël 18 muajsh, duke e lënë atë në gjendje kome me fraktura të rënda në kafkë dhe dëmtime në shtyllën kurrizore.

Ngjarja ndodhi në zonën e mbërritjeve të aeroportit, teksa fëmija ndodhej pranë valixhes së tij dhe nëna shtatzënë po merrte karrocën pas fluturimit. Sipas raportimeve, nëna dhe fëmija kishin mbërritur në Rusi pasi kishin ikur nga bombardimet në Iran, përmes një udhëtimi të vështirë përmes Afganistanit.

Vitkov, i cili kishte fluturuar drejt Moskës nga Qipro ose Egjipti, u ndalua menjëherë nga dëshmitarët dhe u arrestua nga policia. Ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi se ai ishte nën efektin e drogës, me gjurmë kanabisi në gjak, dhe në momentin e ndalimit ai nuk ishte në gjendje të jepte një shpjegim për veprimin monstruoz. Gjithashtu, në çantën e tij janë gjetur substanca të dyshuara narkotike.

Autoritetet ruse po hetojnë ngjarjen si tentativë vrasjeje, ndërkohë që Zyrtarja për të Drejtat e Fëmijëve në Rajonin e Moskës, Ksenia Mishonova, e ka cilësuar agresorin si një “përbindësh i droguar” dhe ka kërkuar ndëshkimin maksimal sipas ligjit. “E gjitha kjo është jashtëzakonisht e rëndë për t’u përballuar,” – u shpreh ajo, duke u solidarizuar me familjen e vogëlushit.

Sheremetyevo është aeroporti më i ngarkuar në Rusi, me mbi 40 milionë pasagjerë në vit, dhe kjo ngjarje ka nxitur reagime të forta në opinionin publik dhe rrjetet sociale. Autoritetet i kanë bërë thirrje dëshmitarëve që të ndihmojnë me informacione shtesë për zbardhjen e plotë të rastit.