Dy ditë pas debutimit të tij, “The Waterfront” ka arritur të bëhet seriali më i ndjekur në Netflix në nivel global, sipas të dhënave nga FlixPatrol.
I xhiruar në qytetet Wilmington dhe Southport të Karolinës së Veriut, të njëjtat lokacione ku u realizua edhe seriali klasik “Dawson’s Creek”, ky thriller familjar sjell një histori të fortë dhe plot tension.
Në qendër të ngjarjes është familja Buckley, pronarë të një restoranti në qytetin imagjinar jugor të Havenportit. Kur patriarku Harlan pëson dy atake në zemër dhe nuk është më në gjendje të drejtojë biznesin, gruaja dhe djali i tij përballen me sfidën e shpëtimit të perandorisë familjare. Kur problemet financiare bëhen të pakapërcyeshme, ata vendosin të ndërmarrin një rrisk të madh, kontrabandën e heroinës përmes një varke peshkimi.
Duke u futur në botën e errët të kontrabandës, familja ballafaqohet me kërcënime nga autoritetet dhe organizata kriminale të fuqishme, veçanërisht me Grady-n, udhëheqës i një grupi të rrezikshëm kriminal, i luajtur nga Topher Grace.
Në këtë dramë komplekse, vendin e vet e gjejnë edhe Bree, vajza e familjes, e cila lufton për kujdestarinë e djalit të saj ndërsa ndodhet në rehabilitim, si dhe Shawn, baristi misterioz që sjell tension dhe enigma të reja në rrëfim.
Krijuesi Kevin Williamson, i njohur për hitet “Dawson’s Creek” dhe “Scream”, bazon historinë në përvojat e tij personale në një komunitet peshkatarësh, duke përfshirë edhe ngjarjet e vërteta të babait të tij në kontrabandën e viteve 1980.
Me një kast të fuqishëm aktorësh dhe një rrëfim të ndërlikuar, “The Waterfront” është një tjetër sukses që po tërheq vëmendjen e audiencës në mbarë botën