Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar hapur Izraelin për veprimet e tij pas shpalljes së armëpushimit me Iranin, duke shprehur pakënaqësi ndaj mënyrës se si Tel Avivi reagoi menjëherë pas marrëveshjes.
Duke folur për gazetarët para nisjes për në samitin e NATO-s në Hagë, Trump deklaroi se Izraeli ka ndërmarrë sulme të panevojshme: “Ka qenë një raketë që mendoj se u hodh pas afatit të përcaktuar, dhe tani Izraeli po ndërmerr sulme kundër Iranit për shkak të një rakete që as nuk ra askund. Këta njerëz duhet të qetësohen.”
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se nuk i ka pëlqyer fakti që Izraeli reagoi menjëherë pas shpalljes së armëpushimit: “Nuk kishin pse të vepronin kështu. Sapo u arrit marrëveshja, Izraeli doli dhe hodhi sasinë më të madhe të bombave që kemi parë ndonjëherë… Nuk jam i kënaqur me Izraelin.”
Këto deklarata të paprecedenta nga një president amerikan kundrejt një aleati të ngushtë si Izraeli kanë shkaktuar reagime të menjëhershme në qarqet ndërkombëtare, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të mbeten të larta.







