Safet Bajri, Behar Bajri dhe Asmer Bilali, tre emra të njohur për drejtësinë, kanë kërkuar lirimin nga burgu përmes një rekursi të paraqitur në Gjykatën e Lartë. Të ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ata janë në paraburgim si të dyshuar për përfshirjen në vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2020 në qytetin e Shkodrës.
Përfaqësuar nga avokati Sokol Tahiraj, të pandehurit kanë kundërshtuar masat e sigurisë të vendosura më herët nga Gjykata e Posaçme dhe janë ankuar në shkallën më të lartë të sistemit gjyqësor, duke kërkuar revokimin e masës së paraburgimit. Sipas SPAK, Bajrat dhe Bilali dyshohet se kanë qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe kanë pasur rol aktiv në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit ndaj Licit, i cili u qëllua për vdekje në afërsi të banesës së tij.
Hetimet kanë zbuluar komunikime të koduara, lëvizje të koordinuara dhe prova të tjera që lidhen me grupin kriminal të njohur si “Bajrat e Shkodrës”, të cilët dyshohet se kanë përdorur dhunë dhe ekzekutime për të ruajtur kontrollin e zonës. Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesën në ditët në vijim, ndërkohë që të tre mbeten nën akuzë për vrasje me paramendim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.








