SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur Jonaid Myzyrin, kryetarin e Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP), me akuzën për “shkelje të barazisë në tendera”, kryer në bashkëpunim. Myzyri është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme së bashku me avokatin e tij, ku është pyetur në lidhje me një procedurë tenderuese me vlerë mbi 2 miliardë lekë të rinj, për të cilën dyshohet se ka shkelur ligjin.
Zyrtari i lartë ka qenë më herët subjekt hetimi nga SPAK për shpërdorim detyre dhe favorizim të kompanive në tendera publikë, edhe pse nuk i ishte komunikuar asnjë akuzë zyrtare deri tani. Çështja po hetohet nga prokurori Elvin Gogaj dhe kjo është hera e tretë që Myzyri thirret në SPAK, pas paraqitjes së tij më 7 prill ku u mor në pyetje për më shumë se dy orë. Hetimet përqendrohen në periudhën 2020–2023, kur ai drejtonte KPP-në, dhe dyshimet kryesore lidhen me mungesën e konkurrencës së ndershme në një sërë procedurash publike ku në shumë raste ka marrë pjesë vetëm një operator, ndërsa në të tjera janë skualifikuar në mënyrë të dyshimtë konkurentët.







