Një ngjarje tronditëse ka ekspozuar lidhjet e dyshuara kriminale mes drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe bizneseve me burim të dyshimtë. Biznesmeni Ylli Cara, i akuzuar si koka e një grupi të strukturuar, ka urdhëruar rrëmbimin dhe dhunimin barbar të Rubena Hasës, faturiste e OSHEE-së, pasi ajo shkoi të kontrollonte sahatin e energjisë në biznesin e Spartak Carës. Pavarësisht sinjalizimeve, Policia nuk ndërhyri, duke ngritur dyshime për bashkëpunim të heshtur me grupin.
Siç thekson Pamflet, duket se Ilir Proda është përfshirë personalisht në manipulimin e dosjes, duke shpallur në kërkim një dëshmitar dhe duke minimizuar rolin e të dyshuarve kryesorë, mes tyre edhe Spartak Cara. Ky i fundit është shpallur në kërkim, por me qëllim që të simulohet gjendje e rënduar mendore për të shmangur ndëshkimin dhe për t’i faturuar më pas edhe ngjarje të tjera. Sipas burimeve të njëjta, policia ka fshehur të dhëna kyçe dhe nuk ka dokumentuar dhunën, ndërkohë që po i bëhet presion viktimës për të tërhequr kallëzimin.
Policia jo vetëm që nuk veproi në kohë, por më pas e deformoi ngjarjen, duke arrestuar një dëshmitar dhe shpallur në kërkim Spartak Carën, për të cilin po përgatitet një skenar me alibi mendore për të shmangur drejtësinë. Në të njëjtën kohë, punonjës të OSHEE-së që dolën në protestë për ngjarjen janë kërcënuar. Kjo ndodhi pak ditë para një tjetër incidenti të rëndë ku Eduart Koboçi dhe Zenel Trofi u ndoqën me armë nga kushëriri i Ylli Carës, Arnold Cara, i prezantuar si shoferi personal i Drejtorit të Policisë, Ilir Proda.
Mbi 100 raportime të brendshme e lidhin Prodan me veprimtari të paligjshme si favorizim ndërtimesh, pastrim parash, kontrabandë dhe mbulim ngjarjesh kriminale. Duke qenë se vetë Policia e Shtetit është vënë në shërbim të një grupi të strukturuar kriminal, kërkohet ndërhyrje urgjente dhe e vendosur nga SPAK për të hetuar lidhjet mes drejtuesve të lartë të shtetit dhe krimit të organizuar. Rasti dëshmon një kapje të thellë të institucioneve dhe nevojën për pastrim të strukturave të sigurisë publike.







