Pas dy muajsh hetime të detajuara me metoda proaktive, të zhvilluara nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në drejtimin e Prokurorisë, është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Last night”, që kishte në objektiv goditjen e veprimtarisë së jashtëligjshme të prostitucionit në qytetin e Pogradecit.
Hetimet çuan në zbulimin e një apartamenti në lagjen nr. 1 të qytetit, i cili ishte marrë me qira dhe përshtatur posaçërisht për ushtrimin e prostitucionit. Në vijim të operacionit, u identifikuan dy shtetase me origjinë kineze si organizatore të kësaj veprimtarie kriminale. Njëra prej tyre, shtetasja H. F., 61 vjeçe, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Falsifikimi i monedhave”, ndërkohë që bashkëpunëtorja e saj, shtetasja C. L., 46 vjeçe, banuese në Kinë, është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e saj.
Paralelisht, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi L. Xh., 33 vjeç, banues në Pogradec, pronar i apartamentit ku ushtrohej veprimtaria, për veprën penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”. Sipas hetimeve, ai kishte dhënë ambientin me qira, duke u bërë indirekt pjesë e kësaj skeme kriminale.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma parash në valuta të ndryshme, kartëmonedha lekë të dyshuara si të falsifikuara, që iu gjetën shtetases së arrestuar, si dhe katër telefona celularë që dyshohet se janë përdorur për komunikime dhe organizimin e aktivitetit të paligjshëm.
Burime zyrtare bëjnë me dije se hetimet janë ende në vijim, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, pasi ekzistojnë dyshime të forta se kjo veprimtari ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë, me përfshirje të shtetasve të tjerë brenda dhe jashtë vendit. Sipas të dhënave paraprake, nga jashtë Shqipërisë organizoheshin telefonatat dhe reklamimet që kishin për qëllim tërheqjen e klientëve dhe funksionimin e këtij aktiviteti të paligjshëm në mënyrë të fshehtë.
Materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme ligjore. Policia e Shtetit dhe Prokuroria mbeten të angazhuara në goditjen e aktiviteteve kriminale që cenojnë rendin dhe moralin publik, duke theksuar se ky operacion është vetëm një nga ndërhyrjet e planifikuara në luftën kundër rrjeteve të paligjshme të trafikimit dhe shfrytëzimit për prostitucion.







