FLASH :

Izraeli konfirmon se ka pranuar marrëveshjen për armëpushim të propozuar nga SHBA

Qeveria izraelite ka konfirmuar se ka pranuar propozimin për armëpushim të paraqitur nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Në një deklaratë zyrtare thuhet: “Izraeli do të përgjigjet me forcë ndaj çdo shkeljeje të armëpushimit.”

Qeveria izraelite ka sqaruar se ka pranuar propozimin për armëpushim pasi, sipas saj, “janë arritur objektivat” e sulmeve ndaj Iranit.

Në deklaratë thuhet se Izraeli ka eliminuar “kërcënimin e dyfishtë dhe të menjëhershëm ekzistencial” nga Irani, që kishte të bënte me armët bërthamore dhe raketat balistike.

Po ashtu, autoritetet izraelite bëjnë me dije se kanë “shkaktuar dëme të rënda ndaj udhëheqjes ushtarake iraniane dhe kanë shkatërruar dhjetëra objektiva qendrore të qeverisë së Iranit”.

Më tej, deklarata sipas BBC, nënvizon se forcat izraelite, gjatë ditës së fundit, “kanë goditur rëndë objektiva qeveritare në zemër të Teheranit, duke eliminuar qindra operativë të Basij-it”, që përdoret shpesh nga qeveria iraniane për shtypjen e protestave, si dhe “kanë eliminuar edhe një tjetër shkencëtar të lartë bërthamor”.

Në përmbyllje të deklaratës, Izraeli shpreh mirënjohje ndaj presidentit Donald Trump dhe Shteteve të Bashkuara për mbështetjen në mbrojtje dhe për pjesëmarrjen në “eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian”.